
Kreu i Partisë Demokratike, Sali Berisha, ka reaguar ashpër ndaj seancës plenare të një dite më parë në Kuvend, ku raportuan institucionet e drejtësisë për punën e vitit 2024.
Në një deklaratë për mediat nga selia blu, Berisha e cilësoi seancën si një “teatër tragji-komik”, duke akuzuar mazhorancën për shkelje të ligjit dhe Kushtetutës.
“Teatër tragji-komik ku u pa se si pseudo-mazhoranca u angazhua të shkelë ligjet dhe Kushtetutën e vendit vetëm në diktatin e Dumanit, që refuzonte të merrte pyetje me gojë direkt nga deputetët – akt ky i pashembullt” – tha ai.
Berisha u ndal edhe te çështja e inceneratorëve, duke lëshuar paralajmërime të forta për të gjithë të përfshirët: “Flakët e djegësave do të djegin çdo njeri që ka dorën e tij të zezë në atë aferë, dhe Ramën, edhe Altin Troplinin dhe të tjerët” – deklaroi ai.
Ai përmendi gjithashtu çështjen e CEZ-it, duke akuzuar kryeministrin për dëm ekonomik ndaj qytetarëve: “630 milionë euro që CEZ duhet t’i paguante shqiptarëve me fatura të certifikuara nga kompanitë ndërkombëtare, Rama në vend të Arbitrazhit ku e kishim fituar të sigurt, i fali dhe 100 milionë euro të taksapaguesve shqiptarë” – tha Berisha.
Duke komentuar mënyrën e zhvillimit të seancës, ai shtoi: “Dita e djeshme regjistrohet në analet e parlamentit shqiptar si dita e kapitullimit pa kushte të pseudomazhorancës së krimit dhe jo vetëm asaj, por edhe para shqiptarëve dhe mbarë botës, mercenarit të Edi Ramës, Altin Troplini”.
Berisha kritikoi gjithashtu kompromisin e arritur për mënyrën e drejtimit të seancës, ku pyetjet e deputetëve lexoheshin dhe përgjigjet jepeshin me vonesë.
“U bë një kompromis… që zyrtari të lexonte pyetjet dhe pas përgjigjeve të tij, autori i pyetjeve të shprehej për dy minuta. Dhe kjo funksionoi, ndonëse ju e patë vetë pozitën mjerane në të cilën u ndodhën palët tona kundërshtare” – tha ai.
Në përfundim, Berisha e cilësoi Dumanin si “i kapur” dhe akuzoi mazhorancën se “e lëshoi në rënie të lirë sepse kishte frikë nga opozita, që do t’u nxirrte dosjet në parlament”.
Deklaratat e Berishës vijnë në një klimë të tensionuar politike, ku çështja e inceneratorëve dhe raportimi i SPAK në Kuvend kanë ndezur debat të fortë mes opozitës dhe mazhorancës.