
Dy studio ligjore ndërkombëtare, “Kasowitz LLP” me seli në Nju Jork dhe “Mishcon de Reya LLP” me seli në Londër, kanë publikuar raportin e dytë të përditësuar mbi çështjen e ndalimit të kryetarit të Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj, nga SPAK.
Sipas raportit, paraburgimi i Veliajt është i pajustifikuar dhe ka shërbyer si pretekst për ta larguar atë nga detyra në mënyrë antikushtetuese.
“Veliaj mbahet në paraburgim që prej muajit shkurt, pavarësisht faktit se ai nuk paraqet rrezik për t’u arratisur, për të penguar çështjen e SPAK-ut, apo për të ripërsëritur veprat e supozuara për të cilat akuzohet” – thuhet në raport.
Raporti vë në dukje se 17 nga të pandehurit e tjerë në të njëjtën çështje janë liruar me kushte minimale, ndërsa Veliajt i është mohuar kjo mundësi, duke ilustruar “pabarazinë e theksuar në trajtimin nga autoritetet shqiptare.”
Sipas dokumentit, zhvillimet politike të muajve të fundit kanë shtuar dyshimet se ndalimi i Veliajt është pjesë e një përndjekjeje politike: “Në shtator, Këshilli Bashkiak i Tiranës e shkarkoi atë nga detyra, duke cituar paraburgimin e pavullnetshëm. Ky vendim u pasua nga njoftimi i Presidentit për mbajtjen e zgjedhjeve të reja, duke krijuar përshtypjen se paraburgimi është përdorur si mjet për ta larguar në mënyrë antikushtetuese nga posti.”
Raporti thekson se Gjykata Kushtetuese ka pezulluar përkohësisht çdo veprim për zëvendësimin e Veliajt, deri në shqyrtimin e ankimit të tij. “Manovrat e fundit politike kanë cenuar prezumimin e pafajësisë dhe e kanë privuar Veliajn nga liria dhe detyra – të gjitha këto, përpara se gjyqi të nisë” – thuhet në raport.
Studio ligjore e Kasowitz përfshin partnerët Daniel J. Fetterman dhe Brian S. Choi, ndërsa ekipi i Mishcon de Reya përfshin James Libson, Ben Brandon dhe bashkëpunëtorë të tjerë ligjorë. Ata e cilësojnë rastin si një provë të angazhimit të Shqipërisë ndaj shtetit të së drejtës dhe procesit të rregullt ligjor.
Më poshtë, deklarata e plotë e studiove ligjore Kasoëitz dhe Mishcon de Reya:
Kasoëitz LLP (Nju Jork) dhe Mishcon de Reya LLP (Londër) njoftuan sot publikimin e një Raporti të përditësuar Veliaj, me titull “Raport lidhur me përndjekjen politike të Erion Veliajt, kryetarit të Bashkisë së Tiranës.”
Ky raport përditëson “Raportin lidhur me ndalimin e padrejtë nga SPAK të një Kryetari Bashkie të zgjedhur në mënyrë demokratike në kryeqytetin e Shqipërisë: Erion Veliaj”, të cilin studiot ligjore e kishin publikuar më 24 qershor 2025.
Raporti i Përditësuar Veliaj shqyrton motivimet e dukshme dhe të papërshtatshme politike që qëndrojnë në themel të çështjes së SPAK-ut ndaj kryebashkiakut të Tiranës, Erion Veliaj. Sipas raportit, në harkun e tetë muajve, ngjarje kyçe kanë krijuar përshtypjen e pamohueshme se hetimi penal ndaj Veliajt nga SPAK-u nuk është një hetim i zakonshëm. Kryebashkiaku Veliaj mbahet në paraburgim që prej muajit shkurt, pavarësisht faktit se ai nuk paraqet rrezik për t’u arratisur, rrezik për të penguar çështjen e SPAK-ut, apo rrezik për të ripërsëritur veprat e supozuara për të cilat akuzohet. Sipas raportit, fakti që kryebashkiakut Veliaj iu mohua lirimi me kusht – ndërkohë që 17 nga të pandehurit e tjerë, të akuzuar në të njëjtën çështje u lanë të lirë me kushte minimale – ilustron pabarazinë e theksuar në mënyrën si është trajtuar ai nga autoritetet shqiptare.
Për më tepër, Raporti i Përditësuar Veliaj vëren se zhvillimet e fundit politike kanë shtuar shqetësimin se çështja e kryebashkiakut Veliaj është një përndjekje politike e hartuar për t’a hequr atë, në kundërshtim me Kushtetutën e Shqipërisë, nga posti i fituar në mënyrë të rregullt si Kryetar i Bashkisë. Në shtator, Këshilli Bashkiak i Tiranës – duke cituar paraburgimin e pavullnetshëm të kryebashkiakut Veliaj – e shkarkoi atë nga detyra. Siç vë në dukje raporti, ky vendim, i pasuar nga një njoftim i Presidentit të Republikës për mbajtjen e zgjedhjeve të reja për të zëvendësuar kryebashkiakun Veliaj, krijoi përshtypjen se paraburgimi i pajustifikuar i kryebashkiakut Veliaj ka shërbyer si pretekst mbi të cilin autoritetet shqiptare të përpiqen t’a largojnë në mënyrë antikushtetuese nga detyra dhe t’u mohojnë qytetarëve të Tiranës të drejtën e vetëqeverisjes. Ndërkohë që Gjykata Kushtetuese ka pezulluar, për momentin, çdo veprim të tillë deri sa të vendoset mbi ankimin e kryebashkiakut Veliaj, i cili kundërshton vendimin e Këshillit Bashkiak, Raporti i Përditësuar Veliaj shqyrton pasojat e kësaj krize kushtetuese. Një nga vëzhgimet e raportit është se çështja e kryebashkiakut Veliaj përbën një shembull të qartë ku vihet në pikëpyetje angazhimi i Shqipërisë ndaj procesit të rregullt ligjor. Sipas raportit, manovrat e fundit politike të ndërmarra për ta larguar nga detyra kanë cenuar prezumimin e pafajësisë, që kryebashkiakut Veliaj i takon, dhe e kanë privuar atë nga liria dhe detyra – të gjitha këto, përpara se gjyqi i tij të nisë.
Një kopje e Raportit të Përditësuar Veliaj është e disponueshme këtu. Çdo kërkesë informacioni duhet t’i drejtohet Shannon O’Reilly (soreilly@kasoëitz).
Ekipi i Kasoëitz përfshin partnerët Daniel J. Fetterman dhe Brian S. Choi në Nju Jork, si dhe këshilltaren e lartë Clarine Nardi Riddle dhe këshilltarin e posaçëm David Miller në Uashington, D.C.
Ekipi i Mishcon de Reya përfshin partnerët James Libson dhe Ben Brandon, menaxheren e asociuar Celia Marr, dhe bashkëpunëtoret Grace Houghton dhe Elizabeth Fitton.