
Presidenti i SHBA-së, Donald Trump, u prit me nderime mbretërore në Japoni, në kuadër të një turneu pesë-ditor në Azi, që synon të kulmojë me një marrëveshje armëpushimi tregtar me presidentin kinez Xi Jinping.
Pas ndalesës së parë në Malajzi, ku njoftoi disa marrëveshje për tregtinë dhe mineralet kritike me katër vende të Azisë Juglindore, Trump pritet të takohet me Xi të enjten në Korenë e Jugut.
“Kam shumë respekt për Presidentin Xi dhe besoj se do të arrijmë një marrëveshje” – tha Trump për gazetarët në bordin e Air Force One para se të zbriste në Tokio, përcjell Reuters.
Në Japoni, Trump u prit nga Perandori Naruhito në Pallatin Imperial, ndërsa qyteti ishte nën masa të rrepta sigurie pas arrestimit të një personi të armatosur pranë ambasadës amerikane. Ndërkohë, një protestë anti-Trump ishte planifikuar në Shinjuku.
Trump ka siguruar një angazhim investimi prej 550 miliardë dollarësh nga Japonia, në këmbim të lehtësimit të tarifave të importit. Sekretari amerikan i Tregtisë, Howard Lutnick, dhe homologu japonez Ryosei Akazawa diskutuan për investime në rrjetet energjetike gjatë një dreke me sushi në Tokio.
Kryeministrja e re e Japonisë, Sanae Takaichi – e para grua në këtë post – pritet të njoftojë blerje të kamionëve amerikanë, soje dhe gaz, si dhe një marrëveshje për ndërtimin e anijeve.
“Forcimi i aleancës mes dy vendeve është prioriteti im kryesor” – i tha ajo Trumpit në një telefonatë të shtunën.
Trump, i cili ishte lideri i parë i huaj që takoi Naruhiton pas ngjitjes në fron në vitin 2019, do të zhvillojë takimin diplomatik kryesor me Takaichi të martën në Pallatin Akasaka, ku do të pritet me nderime ushtarake.
Japonia pritet të rrisë angazhimin në fushën e sigurisë, me Takaichi që ka premtuar përshpejtimin e programit më të madh të mbrojtjes që nga Lufta e Dytë Botërore.
Megjithatë, ajo mund të përballet me vështirësi për të përmbushur kërkesat e Trump për rritje të mëtejshme të shpenzimeve, pasi koalicioni i saj nuk ka shumicën në parlament.
Trump do të udhëtojë të mërkurën drejt Gyeongju në Korenë e Jugut për takime me presidentin Lee Jae Myung. Ndërkohë, negociatorët amerikanë dhe kinezë kanë hartuar një kuadër për pezullimin e tarifave dhe kufizimeve për eksportin e mineraleve të rralla, duke nxitur rritje rekord të bursave aziatike.
Megjithatë, nuk pritet një marrëveshje që do të rikthejë kushtet tregtare të periudhës para rikthimit të Trump në pushtet.