
Deputetja e Partisë Demokratike, Jorida Tabaku, ka ngritur shqetësime serioze në Kuvend lidhur me pastrimin e parave në sektorin e ndërtimit në Tiranë, gjatë raportimit të Prokurorit të Përgjithshëm Olsian Çela për vitin 2024.
“Në Tiranë janë dhënë 1.9 milionë metra katrorë leje ndërtimi, shifër e papërballueshme për sistemin bankar dhe për kompanitë,” tha Tabaku, duke iu referuar raportit të SPAK ku thuhet se grupet kriminale po përdorin ndërtimet për pastrim parash.
Ajo denoncoi se ka kompani që marrin leje për projekte me vlerë deri në 200 milionë euro, ndërkohë që bilanci i tyre financiar është zero.
“Por të ngremë duart dhe të themi se ka raste të tilla, kjo nuk është e mjaftueshme,” shtoi ajo, duke theksuar se pastrimi i parave ka ndikuar në uljen e vlerës së euros dhe ka deformuar tregun.
Tabaku kërkoi nga kryeprokurori një përgjigje më të thelluar dhe një qasje sistematike për të zbuluar origjinën e fondeve që qarkullojnë në ndërtim: “A mund të krijojmë një qark të mbyllur dhe të mësojmë se nga vijnë paratë në Tiranë?”
“Sot kriza që ka ekonomia shqiptare është pastrimi i parave që ka në ndërtim,” tha ajo, duke kërkuar veprim konkret nga institucionet ligjzbatuese.