Vendosni fjalën kyçe....

Spiropali takohet në Bruksel me Kos: Shqipëria, një histori suksesi në procesin e zgjerimit të BE-së


Ministrja për Evropën dhe Punët e Jashtme, Elisa Spiropali, zhvilloi një takim të rëndësishëm në Bruksel me Komisioneren për Zgjerim të Bashkimit Evropian, Marta Kos, ku u vlerësua progresi i Shqipërisë në rrugën e integrimit dhe u analizua ritmi i reformave dhe negociatave.

Në një postim publik, Spiropali theksoi: “Shqipëria veçohet e vlerësohet si vendi ku premtimet dhe angazhimet nuk janë fjalë, por vepra, siç tregon ecuria e zbatimit të Planit të Ri të Rritjes.”

Ajo nënvizoi se falë reformave strukturore në fusha si konkurrueshmëria, energjia, digjitalizimi dhe integrimi ekonomik, Komisioni Europian ka disbursuar së fundmi 100 milion euro për Shqipërinë.

Gjatë vizitës në zyrën e Komisioneres, Kos dhe Spiropali u ndalën te “Muri i Zgjerimit”, ku reflektohet progresi i vendeve drejt anëtarësimit.

Kos deklaroi: “Një nga vendet më të suksesshme në grupin e zgjerimit është Shqipëria me pothuajse të gjithë grupkapitujt e hapur, pa një të fundit. Me ndihmën tuaj Zonja Ministre, shpresojmë se do ta ndryshojmë këtë ngjyrë nga e kuqe në të verdhë në muajin Nëntor.”

Komisionerja përgëzoi Shqipërinë për rezultatet e arritura në kuadër të Planit të Rritjes, duke e cilësuar si një shembull pozitiv në rajon.

 Ajo theksoi mbështetjen për ambicien e Shqipërisë për të mbyllur negociatat e anëtarësimit brenda vitit 2027.

Spiropali, në deklaratën e saj, tha: “Progresi i Shqipërisë pasqyron vokacionin e popullit shqiptar si populli më pro-BE-së në rajon dhe ndoshta në Evropë.”

Ajo siguroi se Shqipëria e konsideron zgjerimin si një proces të bazuar në meritë dhe të nxitur nga reformat: “Ne e kuptojmë se ky nuk është një proces burokratik, por më tepër një proces transformues.”

“Shqipëria është një vend evropian dhe ka qenë atje që nga fillimi i kohës dhe tani është gati të qëndrojë me Evropën brenda Unionit,” përfundoi ministrja.