Vendosni fjalën kyçe....

Shehaj sulmon mazhorancën e opozitën: Komisioni për Reformën Zgjedhore synon të shkatërrojë partitë e reja



Kreu i Mundësia, Agron Shehaj, akuzoi sot me tone të ashpra mazhorancën dhe opozitën, duke i cilësuar të përfshira në një marrëveshje që, sipas tij, synon asgjësimin e alternativave të reja politike në vend.

“Komisioni për reformën zgjedhore ka një qëllim të vetëm: të vrasë partitë e reja. Të vrasë alternativat në këtë vend. Të vrasë demokracinë. Unë nuk e kuptoj se si mazhoranca dhe opozita bëhen bashkë. Dhe papritur ngrejnë një komision pa përfshirë partitë e reja. Keni vetëm një qëllim: që pasi keni vjedhur së bashku, do vijoni të vidhni. Dhe ky do të jetë rezultati i këtij komisioni të turpshëm. Vijoni dhe bëni dakord të vidhni bashkë,” deklaroi Shehaj, i cili kritikoi ashpër arsyetimin dhe përbërjen e komisionit.

Seanca plenare, që po zhvillohet në format maratonë, u shoqërua me reagime të ndryshme nga radhët e mazhorancës. Taulant Balla falënderoi kolegët e të dy kampeteve për negociatat që çuan në marrëveshjen për tekstin e projektvendimit për ngritjen e komisionit të Reformës Zgjedhore.

“Është e pamundur që në një komision të posaçëm të përfshihen të gjitha partitë politike. Për herë të parë kemi përfshirë të gjithë partitë. Ata që e kanë Parlamentin shkollë nate nuk e kuptojnë këtë që them, sepse nuk dinë të lexojnë. Po gënjejmë publikun. Ti që bën interesantin, ditën takohesh me këta për të gjetur kandidatë. Ulesh me këta në tavolinë dhe u shan bukën,” tha Balla, duke nxjerrë në pah nevojën — sipas tij — për të ardhur me hapa konkretë në drejtim të reformës dhe rregullimit të financimit të partive.

Sipas Balla, prioritet i grupit parlamentar të Partisë Socialiste është finalizimi i hapave për ngritjen e komisionit dhe rivendosja e mënyrës së financimit të partive politike në vend.

Debati pritet të intensifikohet gjatë ditëve në vijim, ndërsa palët akuzojnë njëra-tjetrën për mungesë transparence dhe përjashtim të forcave të reja nga procesi, një pikë që opozita e Shehaj thekson si shqetësuese për të ardhmen e pluralizmit politik.