
Kryeministri Edi Rama ka ndarë në rrjetet sociale pamje nga aksioni i radhës për lirimin e hapësirave publike, duke theksuar vendosmërinë e qeverisë për të çliruar çdo zonë të zaptuar në mënyrë të paligjshme.
“Hapësirat publike do të çlirohen të tëra pa ndalim dhe pa përjashtim,” shkroi ai.
Aksioni, i cili ka nisur si një nismë kombëtare që prej muajit korrik, ka për qëllim largimin e strukturave të vendosura pa leje nga biznese apo lokale që kanë zënë trotuare, sheshe apo zona të tjera publike me rrethime metalike, xhama, tavolina dhe karrige.
Në fotot e publikuara nga kryeministri, shihen ndërhyrjet në kryeqytet ku po hiqen strukturat e paligjshme, si pjesë e një fushate që synon rikthimin e hapësirave të përbashkëta për qytetarët.
Qeveria ka paralajmëruar se aksioni do të vijojë në të gjithë vendin, pa përjashtim, duke u fokusuar në rikthimin e funksionit publik të këtyre zonave dhe respektimin e ligjit urban.

