
Deputeti i Partisë Demokratike, Eno Bozdo, ka lëshuar akuza të forta ndaj Prokurorit të Përgjithshëm Olsian Çela gjatë seancës parlamentare, duke e akuzuar për mungesë veprimi përballë pastrimit të parave dhe lulëzimit të krimit të organizuar në Shqipëri.
Bozdo iu referua raportit të Departamentit Amerikan të Shtetit (DASH), duke theksuar se pastrimi i parave është cilësuar si një nga rreziqet më të mëdha për shoqërinë dhe ekonominë shqiptare.
“Grupet e krimit të organizuar i pastrojnë paratë rehat në mes të ditës, pa i hyrë gjemb në këmbë,” tha ai, duke shtuar se kjo ka ndikuar në rënien e vlerës së euros dhe në përkeqësimin e treguesve ekonomikë.
Ai përmendi edhe raportin e financuar nga GIZ dhe Ministria e Jashtme norvegjeze, ku thuhet se në Tiranë, gjatë viteve 2016–2019, janë investuar 1.6 miliardë euro të pajustifikuara në sektorin e ndërtimit.
Po ashtu, Bozdo citoi antimafian italiane dhe emisionin investigativ të Rai3, sipas të cilëve nga 3.7 miliardë euro investime në ndërtim në Tiranë gjatë katër viteve të fundit, vetëm 800 milionë janë të justifikuara përmes sistemit bankar.
“Janë 2.9 miliardë euro që shkatërrojnë ekonominë shqiptare dhe kullat i kemi këtu në mes të ditës,” deklaroi ai.
Bozdo kritikoi Çelën për mungesë të statistikave dhe për ndjekje të kufizuar të rasteve që raportohen vetëm nga media, pa një strategji proaktive nga Prokuroria.
Ai ngriti shqetësimin për mënyrat se si të afërm të personave me precedentë penalë investojnë në pasuri të patundshme në Shqipëri.
Në fund, Bozdo përmendi edhe një rast të bujshëm ku një prokuror arrestoi një avokat mbrojtës gjatë seancës, duke e cilësuar si akt arrogant dhe duke kërkuar që çështjes t’i jepet drejtim institucional.
Bozdo: “Zoti kryeprokuror iu referua mediave si raportues. Ju them që nuk janë media. Është raporti i DASH z.kryeprokuror, që e ngre si rrezik kryesor për shoqërinë dhe ekonominë shqiptare pastrimin e parave, se grupet e krimit të organizuar i pastrojnë paratë rehat në mes të ditës, në mes të dynjasë, pa i hyrë gjemb në këmbë në Shqipëri, duke shkatërruar ekonominë shqiptare, duke e çuar euron në nivelin më të ulët të pajustifikuar dhe duke sjellë sfidën më të madhe ekonomike dhe shoqërore për Shqipërinë në këto ndoshta 35 vite.
Këtë e thotë gjithashti edhe raporti i financuar nga Gizi dhe ministria e Jashtme norvegjeze për flukse të paligjshme të parave, ku gjen se, vetëm në Tiranë, në vitet 2016-2019 janë 1.6 mld euro të investuara në sektorin e ndërtimit të pajustifikuara.
Këtë e thotë gjithashtu edhe antimafia italiane dhe emisioni investigativ i Rai3, kur thotë se nga 3.7 mld euro në 4 vitet e fundit të investuara në Tiranë në sektorin e ndërtimit, vetëm 800 milionë euro janë të justifikuara se janë paguar dhe kredituar nëpërmjet sektorit bankar. Janë 2.9 mld euro që shkatërrojnë ekonominë shqiptare dhe kullat i kemi këtu në mes të ditës.
Pra, çështja është shumë më tepër e nxehtë, se sa fakti që ju nuk keni të dhëna.
Ju thatë që, ne praktikisht kemi bërë diçka. Unë ju them që, praktikisht krimi lulëzon, pastrimi i parave lulëzon, ekonomia shkatërrohet, shqiptarët ikin, euro po kap nivelet e fundit, eksportet shqiptare janë rrënuar, turizmi shqiptar po e pëson, bujqësia shqiptare nuk është konkurruese nga kjo, dhe jo vetëm nga kjo, sepse ju duhet të bënit mirë punën tuaj.
Pyetja e dytë që ka lidhje pikërisht me këtë: si pastrohen këto para?
Ka dhjetëra e dhjetëra raste, z.kryeprokuror, ku raportohet nga media se si të afërm, vëllezër, motra, farë e fis, të njerëzve që kanë precedentë penalë, të dënuar për krim të organizuar, pjesëtarë në organizata mafioze gjejnë mënyra për të investuar në pasuri të patundshme në Shqipëri.
Dhe ju them që ju vërtet nuk keni statistika për këtë, ose keni pak statistika, por rastet që ju ndiqni, vetëm ato që thotë media, pa kërkuar ndonjë linjë prioritare direktivë nga ana juaj, janë dhe shumë, shumë herë më tepër.
Ju falenderoj për faktin që njohët arrogancën e prokurorit, i cili bëri një gjë të paparë duke arrestuar avokatin mbrojtës aty në seancë, dhe shpresoj që kësaj çështjeje t’i jepet drejtim njëherë e mirë.”