
Komisioni Qendror i Zgjedhjeve (KQZ) njoftoi se nga 27 tetori deri më 8 nëntor, qytetarët e Kosovës që jetojnë jashtë vendit mund të ushtrojnë të drejtën e tyre për të votuar përmes postës në rundin e dytë të zgjedhjeve për kryetarë të komunave, përcjell REL.
Sipas KQZ-së, të drejtë vote përmes postës kanë 29.712 shtetas të Kosovës që ishin regjistruar me sukses për votim jashtë vendit në rundin e parë të zgjedhjeve lokale, të mbajtura më 12 tetor.
“KQZ ka nisur procesin e votimit jashtë vendit para certifikimit të rezultateve për të shmangur vonesat në procesin zgjedhor dhe për të siguruar që çdo qytetar i regjistruar të ketë mundësinë të ushtrojë të drejtën e tij kushtetuese për të votuar në kohë,” thuhet në njoftim.
Qytetarët e regjistruar jashtë Kosovës do të marrin përmes postës pakon me fletëvotim për kryetarin e komunës. Më pas, votuesi duhet ta dërgojë këtë pako në njërën prej kutive postare të KQZ-së, të vendosura në 22 vende të botës dhe në Kosovë.
Rundi i balotazhit do të zhvillohet më 9 nëntor në 18 komuna, ku KQZ-ja ka certifikuar tashmë listën e votuesve për këtë proces. Komunat ku do të zhvillohet balotazhi janë:
Gjakova
Gjilani
Dragashi
Kaçaniku
Klina
Fushë Kosova
Mitrovica e Jugut
Obiliqi
Rahoveci
Peja
Prishtina
Prizreni
Suhareka
Vitia
Vushtrria
Juniku
Mamusha
Kllokoti
Për këtë rund, sipas vendimit të KQZ-së, do të shtypen 1.158.015 fletëvotime, rreth 16% më pak se numri i përgjithshëm i qytetarëve me të drejtë vote në këtë rund.
Në rundin e parë, më 12 tetor, 39.58% e qytetarëve me të drejtë vote brenda vendit morën pjesë në votime. Në 20 komuna, kryetarët e rinj dhe përbërja e re e asambleve komunale u zgjodhën qysh në këtë rund, duke përfshirë 43.993 votues të regjistruar jashtë vendit.