Vendosni fjalën kyçe....

Çela në Kuvend për krimet zgjedhore: Hetime në vijim për përdorimin e administratës


Gjatë raportimit të tij vjetor në Kuvend, Prokurori i Përgjithshëm Olsian Çela iu përgjigj pyetjeve të deputetëve lidhur me krimet zgjedhore dhe përdorimin e administratës publike në fushatën për zgjedhjet e 11 majit.

Pyetja u ngrit nga nënkryetari i Kuvendit, Agron Gjekmarkaj, duke iu referuar edhe raportit përfundimtar të OSBE-ODIHR, i cili evidenton shqetësime për ndërhyrje të paligjshme në procesin zgjedhor.

“Për sa i përket krimeve zgjedhore janë marrë disa masa. Nga ana e Prokurorisë së Përgjithshme është punuar për forcimin e koordinimit institucional me KQZ, për të pasur një qasje të koordinuar,” tha Çela.

Ai shtoi se janë ngritur seksione të posaçme brenda sistemit të prokurorisë për të hetuar krimet zgjedhore dhe se një sërë çështjesh penale janë hapur në të gjithë territorin e vendit, kryesisht për përdorimin e fondeve publike dhe të administratës në fushatë.

Në lidhje me çështjen e patronazhistëve, Çela tha: “Nuk është asgjë tjetër, vetëm gjurmimi i qytetarëve, ku identifikojnë problemet dhe zgjidhjen ja japin me këmbimin e votës për PS. Pra përdorimi i shtetit për vota. Sipas të dhënave, vetë patronazhistët janë punonjës të administratës publike.”

Deklaratat e Çelës vijnë në një moment kur opozita ka intensifikuar akuzat për manipulim të procesit zgjedhor dhe përdorim të strukturave shtetërore për qëllime elektorale. Ai konfirmoi se hetimet për këto raste janë ende në vijim.