Vendosni fjalën kyçe....

Berisha akuza mazhorancës: I keni hequr kompetencat Çelës dhe recitoni rezolutën, një nekrologji për reformën


Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha, ka reaguar ashpër gjatë seancës plenare në Kuvend, teksa Prokurori i Përgjithshëm, Olsian Çela, po paraqiste raportin e tij vjetor.

Berisha akuzoi mazhorancën se i ka hequr Çelës të gjitha kompetencat kushtetuese, duke e reduktuar rolin e tij vetëm në një përfaqësues formal në marrëdhëniet ndërkombëtare.

“Ftoj çdo deputet në këtë sallë të hapë Kushtetutën. Dhe në qoftë se lexoni Kushtetutën, ai zotëri nuk ka në mënyrë absolute asnjë tagër për ato që i thoni ju rezolutë,” deklaroi Berisha.

Ai theksoi se raportimi i kryeprokurorit nuk ka më vlerë institucionale, pasi sipas tij, Çela është “zhveshur nga çdo kompetencë” që i njihte më parë ligji dhe Kushtetuta.

“E kanë zhveshur nga çdo lloj kompetence dhe e thërrasin sikur të ishte me Kushtetutën e vjetër. Ju lexuat një rezolutë me seri nenesh duke shtruar kërkesa që Kushtetuta dhe ligji nuk ia njeh asnjë atij,” vijoi Berisha, duke akuzuar shumicën për hipokrizi institucionale.

Kreu i PD-së shtoi se Prokurori i Përgjithshëm nuk ka më asnjë fuqi mbi prokurorët, pasi të gjitha kompetencat i janë kaluar Këshillit të Lartë të Prokurorisë (KLP).

“Nuk ka asnjë lidhje me parlamentin. Nuk ka asnjë fuqi mbi prokurorët, se ia ka KLP-ja. Është, sipas këtij libri, përfaqësues në marrëdhënie ndërkombëtare i shtetit shqiptar si prokuror. Kaq. Prandaj të mos bëjmë gjëra të tilla,” u shpreh Berisha.

Në përfundim të fjalës së tij, ai e cilësoi rezolutën e lexuar në Kuvend si një “nekrologji, jo për personin, por për Prokurorin e Përgjithshëm dhe për reformën në drejtësi.”

“Të paktën, kur vini në parlament, kur zgjidheni, lexojeni Kushtetutën se do t’ju ndihmojë,” përfundoi Berisha.