
Këshilltari për Çështjet Ekonomike në Partinë Demokratike, Dorjan Teliti, ka reaguar ndaj mënyrës se si po menaxhohet pagesa e detyrimeve ndaj biznesmenit italian Francesco Becchetti, pas humbjes së gjyqit nga qeveria shqiptare.
Në një postim në rrjetet sociale, Teliti shkruan: “Becchetti fitoi gjyqin ndaj qeverisë shqiptare, por fitoren e tij po e paguajnë qytetarët e thjeshtë, jo qeveritarët. Jo ata që morën vendimet, por taksapaguesit që mezi mbyllin muajin.”
Ai denoncon se gjatë 34 muajve të fundit janë paguar 100 milionë euro nga buxheti i shtetit për llogari të Becchettit, përmes kompanisë shtetërore Albcontrol.
“Mekanizmi është i qartë: Becchetti merr nga Albcontrol, Albcontrol merr nga Qeveria, dhe Qeveria merr nga xhepat e shqiptarëve,” thekson Teliti.
Sipas tij, vetëm me aktin normativ të buxhetit për vitin 2025 janë parashikuar edhe 30 milionë euro të tjera për të mbuluar këto detyrime.
Ai e cilëson këtë rast si një shembull të “arrogancës dhe papërgjegjshmërisë qeverisëse”, ku humbjet financiare për shkak të vendimeve politike i përballon populli, ndërsa “përgjegjësia mbetet mall pa zot.”