
Strukturat vendore të Mbrojtjes Civile kanë raportuar probleme të shumta në qarkun e Shkodrës si pasojë e reshjeve intensive që kanë përfshirë zonën gjatë 24 orëve të fundit.
Sipas njoftimit zyrtar, në Bashkinë e Vaut të Dejës janë regjistruar përmbytje në disa banesa, ndërsa lumi Glinë po rrezikon të dalë nga shtrati, çka mund të shkaktojë përmbytjen e një të tretës së territorit të qytetit.
“Në pesë bashkitë e Qarkut Shkodër (Shkodër, Malësi e Madhe, Vau Dejës, Pukë dhe Fushë Arrëz) vijojnë reshje shiu, kryesisht me intensitet të lartë,” thuhet në raportin e Mbrojtjes Civile.
Në Fushë Arrëz, janë raportuar rënie gurësh dhe inertesh në rrugët rurale, si dhe prani e ujit në akse rrugore, ndërsa në Shkodër, njësia administrative Gur i Zi po përballet me probleme për shkak të fryrjes së përroit pranë qendrës. Autoritetet lokale kanë ndërhyrë me mjete shtesë për pastrimin e urës dhe kanaleve kulluese.
Nga ana tjetër, Drejtoria e Ujitjes dhe Kullimit në Lezhë bëri të ditur se pavarësisht 150 mm reshjeve të rëna në 24 orët e fundit, nuk janë konstatuar dëmtime në kanalet e mëdha të kullimit apo në digat mbrojtëse.
“Situata po monitorohet në mënyrë të vazhdueshme nga të gjitha strukturat përkatëse dhe do të ndërhyhet menjëherë në rast nevoje,” – thuhet në njoftim.
Autoritetet u bëjnë thirrje qytetarëve të jenë të kujdesshëm dhe të shmangin lëvizjet e panevojshme në zonat më të rrezikuara nga përmbytjet.