Vendosni fjalën kyçe....

Rama për kandidaturën e Florian Binajt: Kanë zgjedhur një aktor humori që më imiton mua



Kryeministri Edi Rama e konsideron të sigurt fitoren në Tiranë dhe Vlorë, ku Partia Socialiste garon me Ogerta Manastirliun dhe Brunilda Mersinin. Rama tha se dy kandidatet gra i bashkon përvoja e suksesshme në drejtimin e institucioneve shëndetësore dhe se ato përfaqësojnë “rilindjen e qyteteve të dorës së parë për Shqipërinë”.

“Është një risi absolute që për Tiranën dhe Vlorën kandidojnë dy gra me karrierë të ngjashme, që kanë transformuar QSUT-në dhe Spitalin Rajonal të Vlorës falë kapacitetit të tyre menaxherial dhe vullnetit të hekurt. Ato janë fituese të padiskutueshme të garave, ndërsa kundërshtarët e tyre janë shembëlltyra më kuptimplote e humbjes së radhës, të ndjesë pastë Partia Demokratike,” – tha Rama.

Duke u ndalur te Tirana, zgjedhjet e së cilës janë aktualisht të pezulluara pas vendimit të Gjykatës Kushtetuese, Rama komentoi për herë të parë kandidaturën e opozitës, Florian Binajn, artist i njohur për imitimet e tij politike, përfshirë edhe vetë kryeministrin.

“Këneta është kaq e dëshpëruar, sa për Tiranën ka nxjerrë një aktor humori në rolin e një kandidati gjoja të pavarur, që për vite i ka bërë për të qeshur të gjithë, madje edhe Kongresin e Partisë Socialiste. Nuk e gjykoj keq aktorin për rolin e ri që ka marrë, se aktorët këtë punë kanë, me role jetojnë,” – ironizoi Rama, duke shtuar se “kush voton për PS-në, voton Ogertën për t’i dhënë Tiranës drejtuesen e duhur.”

Ndërkohë, Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ka vendosur të mos regjistrojë Gjergji Nikën si kandidat për Bashkinë Vlorë, me argumentin se nuk janë respektuar procedurat, vendim që Nika e ka kundërshtuar duke thënë se “ligji ia lejon pjesëmarrjen”.

Zgjedhjet në Tiranë mbeten pezull pas ankimimit të Erion Veliajt në Gjykatën Kushtetuese, fillimisht ndaj vendimit të qeverisë për shkarkimin e tij, e më pas ndaj dekretit të Presidentit Bajram Begaj që caktoi datën 9 nëntor për mbajtjen e zgjedhjeve në kryeqytet dhe pesë bashki të tjera.