
Sot në orën 10:00 është thirrur seanca e jashtëzakonshme e Kuvendit të Kosovës për formimin e qeverisë së re, me Albin Kurtin si mandatar, pas fitores së Lëvizjes Vetëvendosje (VV) në zgjedhjet e 9 shkurtit.
Për krijimin e kabinetit të ri qeveritar, Kurtit i nevojiten të paktën 61 vota. Aktualisht, ai kontrollon 48 deputetë të VV-së dhe pritet të mbështetet nga disa përfaqësues të komuniteteve joshumicë. Megjithatë, situata politike mbetet e paqartë, pasi deri më tani nuk është bërë publik asnjë koalicion zyrtar.
Në një deklaratë të dhënë më 21 tetor, Kurti pranoi se ekziston mundësia që vendi të shkojë sërish në zgjedhje, duke theksuar vështirësitë në arritjen e marrëveshjeve politike.
“Atmosfera është intoksikuar shumë, ka shumë xhelozi e inat e cinizëm më shumë sesa ide, punë e pasion. Do të përpiqemi ta bëjmë Qeverinë, por siç duket, alternativa është se do të shkojmë në zgjedhje prapë,” deklaroi ai.
Presidentja Vjosa Osmani e ka mandatuar Kurtin për formimin e qeverisë më 11 tetor, dhe ai ka afat deri më 26 tetor për të paraqitur përbërjen e kabinetit dhe për të kërkuar votëbesimin në Kuvend.
Vetëvendosje, me 48 ulëse në Kuvendin prej 120 vendesh, ka përjashtuar bashkëpunimin me Partinë Demokratike të Kosovës (PDK) dhe Listën Serbe. PDK-ja ka 24 deputetë, Lidhja Demokratike e Kosovës (LDK) 20, ndërsa koalicioni AAK–Nisma numëron tetë ulëse. Nga komuniteti serb, nëntë deputetë janë të Listës Serbe dhe një nga Partia për Liri, Drejtësi dhe Mbijetesë e Nenad Rashiqit. Dhjetë vende të tjera janë të rezervuara për komunitetet e tjera minoritare.
Nëse LVV-ja nuk arrin të sigurojë shumicën prej 61 votash, presidentja Osmani do të ketë dhjetë ditë për të ftuar partitë në konsultime dhe për të caktuar një mandatar të ri. Në rast se as tentativa e dytë dështon, Kushtetuta parashikon shpalljen e zgjedhjeve të reja brenda 40 ditësh.