
Kryeministri në detyrë i Kosovës, Albin Kurti, ka reaguar pas seancës së Kuvendit ku nuk u arrit të sigurohen votat e nevojshme për kabinetin e ri qeveritar.
Në një postim në Facebook, Kurti falënderoi deputetët që e mbështetën dhe qytetarët për përkrahjen, duke theksuar se pavarësisht rezultatit, qeveria do të vazhdojë të ushtrojë detyrat e saj deri në zgjedhjet e reja parlamentare.
“Falënderoj të gjithë deputetët që mbështetën propozimin për kabinetin e ri qeveritar dhe qytetarët për përkrahjen. Meqë 56 vota ishin për, 52 kundër dhe 4 abstenime, nuk mund të fillojë ende mandati ynë i ri. Ndërkohë, vazhdojmë si qeveri në detyrë drejt zgjedhjeve të reja parlamentare,” – shkroi Kurti.
Seanca për votëbesimin e qeverisë së re përfundoi pa sukses, pasi propozimi mori vetëm 56 vota pro, ndërsa 52 deputetë votuan kundër dhe 4 abstenuan.
Procesi për formimin e qeverisë kalon tani në duart e Presidentes Vjosa Osmani, e cila pritet të thërrasë partitë për konsultime brenda afateve kushtetuese.