Vendosni fjalën kyçe....

Guvernatori demokrat i Kalifornisë sinjalizon kandidaturë për zgjedhjet presidenciale të 2028-ës


Guvernatori demokrat i Kalifornisë, Gavin Newsom, ka deklaruar se po shqyrton seriozisht një kandidaturë për president të Shteteve të Bashkuara në vitin 2028.

Në një intervistë për emisionin “Sunday Morning” të CBS News, e transmetuar këtë të diel, ai tha: “Po, do të gënjeja po të thosha të kundërtën.”

Newsom shtoi se do të marrë një vendim përfundimtar pas zgjedhjeve të mesmandatit në vitin 2026. “Jam i interesuar të shoh kush do të paraqitet në 2028 dhe kush do të jetë në lartësinë e momentit,” u shpreh ai, përcjell Reuters.

Gjatë këtij viti, Newsom ka ndërmarrë disa hapa për të testuar terrenin për një kandidaturë të mundshme, duke fituar vëmendje brenda Partisë Demokratike për përballjet e tij të drejtpërdrejta me Presidentin republikan Donald Trump, përfshirë kritikat ndaj vendimeve për dislokimin ushtarak në Los Angeles dhe përpjekjet për të riformatuar hartat elektorale në Kaliforni si kundërpeshë ndaj iniciativave të ngjashme nga shtetet e drejtuara nga republikanët.

Sipas Kushtetutës së SHBA-së, Trump nuk mund të kandidojë për një mandat të tretë, por ai ka lënë të kuptohet se “ka mënyra për ta bërë këtë”, duke nxitur debat të gjerë politik dhe ligjor.

Newsom pritet të jetë një nga figurat kryesore në garën e mundshme për nominimin demokrat në 2028, veçanërisht nëse Presidenti aktual nuk kandidon për një mandat tjetër.