
Zëvendëspresidentja e Partisë së Lirisë, Erisa Xhixho, ka kritikuar ashpër raportin e OSBE/ODIHR për zgjedhjet e 11 majit, duke e cilësuar atë si një “skenar të farsës elektorale”. Ajo deklaroi se zgjedhjet nuk ishin as të lira, as të ndershme, por të manipuluara politikisht nga pushteti.
Xhixho tha se raporti konfirmon shqetësimet e opozitës së bashkuar për përdorimin e burimeve publike, fondeve dhe administratës për qëllime elektorale, përfshirë dhënien e bonuseve dhe faljen e gjobave. “Pra, 35 vite pas rënies së komunizmit jemi kthyer aty ku shteti dhe partia ishin një”, theksoi ajo.
Raporti, sipas Xhixhos, evidenton edhe: përdorimin e patronazhistëve për presion ndaj administratës, presionin mbi qytetarët për votë, përfshirjen e krimit në zgjedhje, kontrollin e medias nga qeveria dhe parregullsitë me votën e diasporës.
“Pushteti aktual nuk fiton zgjedhje — i vjedh ato. Shteti është kthyer në instrument elektoral të partisë, duke cenuar rëndë demokracinë dhe sovranitetin e qytetarëve,” përfundoi Xhixho.