
Policia e Tiranës ka arrestuar dy persona, një 18-vjeçar dhe një të mitur 16 vjeç, të cilët dyshohet se kanë kryer nëntë vjedhje biçikletash dhe motomjetesh elektrike gjatë muajve shtator dhe tetor.
Operacioni policor, i koduar “Mjetet”, u zhvillua nga Specialistët për Hetimin e Krimeve të Komisariatit Nr. 2, pas disa kallëzimeve nga qytetarë për vjedhje në zona të ndryshme të kryeqytetit.
Sipas njoftimit zyrtar, hetimet e shpejta dhe pamjet filmike çuan në identifikimin dhe arrestimin e autorëve të dyshuar, R.M., 18 vjeç, dhe një të mituri 16 vjeç, të cilët rezultojnë të dënuar më parë për vjedhje.
“U bë e mundur zbardhja e 9 rasteve të vjedhjeve të biçikletave dhe motomjeteve elektrike, të kryera gjatë muajve shtator dhe tetor… në përfundim të veprimeve procedurale u arrestuan për veprën penale ‘Vjedhja’, e kryer në bashkëpunim”, thuhet në njoftimin e Policisë.
Hetimet vijojnë për të zbuluar nëse të rinjtë janë përfshirë edhe në raste të tjera të ngjashme. Materialet procedurale i janë referuar Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Tiranë për veprime të mëtejshme.