
Deputetja e Partisë Demokratike, Jorida Tabaku, ka postuar video ne rrjetet sociale ndaj gjendjes ekonomike të familjeve shqiptare, duke e cilësuar si pasojë direkte të politikave të gabuara të qeverisë socialiste gjatë 12 viteve të fundit.
Në video, Tabaku thekson se 55% e shqiptarëve nuk arrijnë të mbyllin muajin, pasi të ardhurat e tyre nuk mjaftojnë për shpenzimet bazike të jetesës, shkollës, energjisë, transportit apo ushqimit.
“Shqipëria është një vend i mrekullueshëm me potenciale të jashtëzakonshme, por fatkeqësisht sot 55% e shqiptarëve nuk mbyllin dot muajin. Kjo ndodh sepse sa herë që qeveria ka pasur mundësi të zgjedhë, ka zgjedhur për pakicën, për 5% që merr gjithë pasuritë, kundrejt 55% që lufton për të përballuar muajin,” – deklaron Tabaku.
Sipas saj, shkaku qëndron në rritjen e taksave, kapjen e tregut dhe politikat klienteliste, që kanë favorizuar një grusht të vogël oligarkësh në kurriz të qytetarëve.
Tabaku thekson se është koha për të ndryshuar sistemin e kapur dhe për t’i kthyer prioritetet tek familjet dhe shtresa e mesme, jo tek koncesionet dhe interesat e ngushta.
“Këto duhet të ndryshojmë — këtë sistem të kapur dhe këto zgjedhje të gabuara që e kanë çuar Shqipërinë në këtë moment të vështirë,” – përfundon ajo.
Familjet shqiptare janë sot në krizë sepse në 12 vite qeveria socialiste ka zgjedhur gjithmonë pakicën përballë nevojave të shumicës!
Posted by Jorida Tabaku on Saturday, October 25, 2025