Ish-deputeti i PD-së Ervin Salianji tha se kryeministri Rama duhet të dorëhiqet nëse zv.kryeministrja Balluku merret nën hetim apo arrestohet.
Ai theksoi se Balluku është personi më i rëndësishëm në qeveri dhe ministrja me portofolin më të gjerë dhe politikisht është personi më i rëndësishëm pas kreut të qeverisë.
“Nëse lajmi për Ballukun konfirmohet zyrtarisht, Edi Rama duhet të dorëhiqet. Belinda Balluku është personi më i rëndësishëm në qeveri, jo vetëm në dukje, por është zv/kryeministre dhe ministrja me portofolin më të madh dhe njeriu me mbështetje politike të fortë, është drejtuesja politike për zgjedhjet e pjesshme të Tiranës. Politikisht është njeriu më i rëndësishëm jo vetëm për shkak të vendimmarrjes, por edhe për shkak të besimit që i ka dhënë Edi Rama për të qenë personi i pushtetshëm në qeverisje. Nëse konfirmohet të jetë ashtu siç është raportuar në media, Edi Rama duhet të dorëhiqet”, ta Salianji në emisonin “Kjo Javë” në Neës24.
Ai shtoi se pas Erion Veliajt, më shumë se 20 ministra e kryebashkiakë të arrestuar ose të dënuar tregojnë për modelin korruptiv që ka ndërtuar Edi Rama.
“Do të ishte i dyti rast që zv/kryeministri, numri 2 pas Edi Ramës, numri për shkak të pushtetit në Bashkinë e Tiranës që është Erion Veliaj, një buqetë e madhe ministrash, më shumë se 20 kryetarë bashkish tregon një model korruptiv dhe kriminal të ndërtuar nga Edi Rama. Dhe këtu nuk kemi të bëjmë më me përgjegjësi individuale të këtyre individëve se duket që shtysa kryesore për të prodhuar paligjshmëri në këtë republikë është Edi Rama, se nuk mundet që të jetë i gjithë ekipi dhe ky të jetë më i pastri. Pra, Edi Rama duhet ta mbyllë historinë vetë, ose duhet bërë çdo përpjekje që Edi Rama të largohet një orë e më parë. S’janë raste individuale, por skemë paligjshmërie dhe korrupsioni që drejtohet nga Edi Rama.” – shtoi Salianji.
