Vendosni fjalën kyçe....

Policia Rrugore e Tiranës intensifikon kontrollet, sekuestron 130 monopatina dhe vendos 77 gjoba në 24 orë


Policia Rrugore e Tiranës ka zhvilluar kontrolle të shtuara gjatë 24 orëve të fundit në të gjitha akset kryesore urbane dhe interurbane, me qëllim parandalimin e shkeljeve që rrezikojnë sigurinë rrugore dhe uljen e aksidenteve.

Gjatë kontrolleve janë konstatuar një sërë shkeljesh nga drejtues mjetesh, përfshirë:
– kalime të menjëhershme nga një karrexhatë në tjetrën;
– parakalime të gabuara me fushëpamje të kufizuar;
– drejtim mjeti nën efektin e alkoolit;
– përdorim telefoni gjatë drejtimit të automjetit;
– mosrespektim të vendkalimeve për këmbësorët.

Për këto shkelje janë vendosur 77 masa administrative, ndërsa kontrollet do të vijojnë çdo ditë në pika të ndryshme të kryeqytetit, me fokus zonat me fluks të lartë qarkullimi.

Në kuadër të planit për rritjen e sigurisë në përdorimin e monopatinave elektrike, policia i ka dhënë prioritet kontrolleve ndaj drejtuesve të këtyre mjeteve, duke sekuestruar 130 monopatina dhe motomjete elektrike që nuk respektonin rregullat e qarkullimit.

Policia Rrugore u bën apel të gjithë drejtuesve të mjeteve që të respektojnë rregullat e qarkullimit, për të shmangur aksidentet dhe për të garantuar një qarkullim sa më të sigurt për të gjithë përdoruesit e rrugës.