Vendosni fjalën kyçe....

PD kundër nënshtrimit në Kuvend, deputetët kërkojnë respektimin e Rregullores dhe mbrojtjen e të drejtave të opozitës



Në mbledhjen e zhvilluar një ditë më parë me dyer të mbyllura, deputetët e Partisë Demokratike diskutuan intensivisht mbi strategjinë që opozita do të ndjekë në sallën e Kuvendit, pas incidenteve të fundit që kulmuan në përplasje të forta me kryeparlamentarin Niko Peleshi.

Disa deputetë propozuan reagime më radikale ndaj, siç e quajnë ata, cenimit të të drejtave të opozitës, ndërsa të tjerë theksuan nevojën për kontroll të emocioneve dhe fokus te përmbajtja e fjalës.

Kreu i PD-së, Sali Berisha, u shpreh se “Secili prej nesh ka karakterin dhe emocionin e tij, por një gjë duhet të bashkojë secilin opozitar: Respekti për Rregulloren e Kuvendit. Precedenti parlamentar është ligj dhe nuk mund të ndryshohet sipas qejfit nga krimineli Taulant Balla. Kush thotë të nënshtrohemi presionit të kriminelëve në qeveri, i jep mesazhin më të gabuar votuesve tanë. Kurrë nuk mund të pranojë opozita nënshtrimin, ndryshe kot që shkojmë në Kuvend.”

Gazment Bardhi, sekretar i Përgjithshëm i PD-së, informoi deputetët për rendin e ditës: “Në nisje të seancës janë për votim dy vendimet për Komisionet e Reformës Zgjedhore dhe asaj Territoriale. Administrata e Kuvendit sapo më ka dërguar tekstin e rishikuar, ku janë reflektuar të gjitha amendamentet tona. Nëse mazhoranca i qëndron versionit të ripunuar, ne votojmë pro.” Ai shtoi se të hënën do të raportojnë pesë institucione të drejtësisë, ndërsa rezolutat e mazhorancës nuk do të votohen, pasi janë të njëanshme.

Debati vazhdoi me deputetë si Tomorr Alizoti, Belind Këlliçi, Luçiano Boçi, Flamur Noka, Klevis Balliu dhe Luan Baçi, të cilët theksuan nevojën për reagim të koordinuar, mbrojtjen e të drejtave që opozita ka fituar në 35 vitet e fundit dhe ruajtjen e koherencës në qëndrime, duke shmangur nënshtrimin ndaj presionit të mazhorancës.

Në përfundim, Gazment Bardhi deklaroi se qëndrimi i grupit është i unifikuar: mbrojtja e Rregullores së Kuvendit dhe e të drejtave të opozitës mbetet prioritet, ndërsa shqetësimet e zgjedhësve do të diskutohen në vijim.