Studiuesit nga Universiteti i Kalifornisë, po studiojnë një ndërtesë Inka nga mesi i shekullit të 15-të që ka një strukturë të veçantë. Ajo ka tre mure dhe një hapje në njërin fund, dhe ata besojnë se ishte projektuar me qëllimin specifik për të amplifikuar tingujt.
Ndërtesa njihet si “carpa uasi”, një emër që do të thotë “shtëpi çadër”, që është një referencë për anën e saj të hapur. Mendohet të jetë e vetmja strukturë e tillë në ekzistencë, dhe megjithëse e njohur për shumë vite, potenciali i saj si një amplifikator zëri nuk ishte identifikuar deri tani. Puna e re paraqet hipotezën se dizajni i ndërtesës kishte veti specifike akustike. Tingulli i daulleve, i përdorur, për shembull, për të shpallur fillimin ose fundin e një beteje, do dilte nga fundi i hapur i “carpa uasi” i amplifikuar.
“Ne po eksplorojmë mundësinë që “carpa uasi” mund të ketë amplifikuar tingujt me frekuencë të ulët, si p.sh. zhurma e daulleve,” tha drejtuesja e kërkimit Stella Nair, Profesoreshë e Asociuar e Historisë së Artit në Universitetin e Kalifornisë, në një deklaratë.
“Me këtë kërkim, për herë të parë, ne do jemi në gjendje të themi se çfarë vlerësonin Inkasit në aspektin e zërit në këtë ndërtesë.”
Struktura në formën e saj origjinale ishte fillimisht më pak e qëndrueshme sesa është sot. Kur spanjollët pushtuan Perandorinë Inka, ata e kthyen këtë strukturë në bazë për një kishë. Ekipi po përdor vizatime me dorë dhe modele 3D për të rindërtuar se si dukej më parë struktura, e cila ndodhet në Huaytará, Peru, dhe se si mund të ketë udhëtuar tingulli përmes saj, shkruan IFL.
“Shumë njerëz shohin arkitekturën Inka dhe mbeten të impresionuar me punimin e gurit, por ky është vetëm maja e ajsbergut,” tha Nair.
“Tingulli ishte thellësisht i vlerësuar dhe një pjesë tepër e rëndësishme e arkitekturës Andeane dhe Inka, aq shumë sa që ndërtuesit lejuan pak paqëndrueshmëri në këtë strukturë vetëm për shkak të potencialit të saj akustik.”
Bashkëpunimi për të kuptuar këtë ndërtesë dhe funksionin e saj është ndërdisiplinor me ekspertë të arkeologjisë dhe muzikës, duke përfshirë një arkeolog lokal peruan dhe priftin e Kishës së San Juan Bautista, e cila ndodhet sipër “carpa uasi”.
“Ne po mësojmë se tingulli ka qenë tepër i rëndësishëm që nga qytetet më të hershme, që datojnë disa mijëra vjet para Krishtit,” tha Nair, e cila po punon për librin e saj të tretë rreth arkitekturës Andeane. “Ndërtuesit ishin tepër të sofistikuar me arkitekturën e tyre aurale, dhe inkasit janë një pjesë e kësaj tradite të gjatë dhe të sofistikuar të inxhinierisë sonike.”
