Vendosni fjalën kyçe....

Humb jetën inxhinieri 42-vjeçar në kantierin e ndërtimit në Peqin



Një ngjarje ka ndodhur në Peqin pasditen e djeshme, ku një inxhinier ka humbur jetën tragjikisht gjatë punës në një kantier ndërtimi në fshatin Paulesh.

Sipas njoftimit zyrtar të Policisë së Shtetit, ngjarja ka ndodhur si pasojë e rënies nga lartësia gjatë kryerjes së detyrave të punës. Viktima është identifikuar si Guri Dashi, 42 vjeç, me profesion inxhinier, i cili ka ndërruar jetë në vendngjarje.

Pas ngjarjes, Specialistët për Hetimin e Krimeve në Komisariatin e Policisë Peqin kanë arrestuar në flagrancë Enver Hoxhën, 64 vjeç, me detyrë drejtues teknik në kantierin ku ndodhi aksidenti.

Sipas hetimeve paraprake, mungesa e zbatimit të rregullave të sigurisë në punë dyshohet se është shkaku kryesor që solli humbjen e jetës së inxhinierit. Për këtë arsye, ndaj 64-vjeçarit është ngritur akuza për veprën penale “Shkelja e rregullave të mbrojtjes në punë”.

Në vendngjarje ndodhet grupi hetimor, i cili po punon për të zbardhur rrethanat e plota të aksidentit dhe për të përcaktuar përgjegjësitë ligjore të personave të përfshirë.