Vendosni fjalën kyçe....

E majtë e thekur, kush është kandidatja që pritet të fitojë presidencën në Irlandë


Catherine Connolly, një ligjvënëse veterane nga e majta e spektrit politik irlandez, pritet të zgjidhet presidente me shumicë dërrmuese të shtunën, ndërsa anëtarët e partive qeverisëse pranuan se do pësonin një humbje të rëndë.

Connolly, 68 vjeçe, një kandidate e pavarur e mbështetur nga e gjithë opozita që mbizotërohet nga e majta, ka të ngjarë të fitojë më shumë se dyfishin e votave të rivales më të afërt, tha një zyrtar i njërës prej partive qeverisëse, duke cituar një numërim të paplotë të votave.

Sekretari i Përgjithshëm i “Fine Gael”, John Carroll, i tha transmetuesit kombëtar RTE se të dhënat sugjeronin që Connolly do fitonte më shumë se 60% të votave, ndërsa kandidatja e partisë së tij,  ish-ministrja Heather Humphreys, ndoshta do përfundonte në rreth 20%.

Kritike e fortë e BE-së dhe SHBA-së

Një kritike e kahershme e Bashkimit Evropian në Irlandën dërrmuese pro-BE, e cila vazhdimisht ka denoncuar planet e BE-së për të rritur shpenzimet ushtarake, Connolly ishte larg të qenit një emër i njohur në fillim të garës për rolin kryesisht ceremonial.

Shumë nga pikëpamjet e saj, duke filluar nga vënia në dyshim e besueshmërisë së Shteteve të Bashkuara, Britanisë dhe Francës për qëndrimin e tyre ndaj luftës në Gaza e deri te krahasimi i shpenzimeve gjermane për riarmatimin me ato të viteve 1930, janë shumë më majtas se shumë prej partive të majta që e mbështesin.

Presidenti i Irlandës është kryesisht një figurë përfaqësuese, me fuqi që përdoren rrallë për të testuar kushtetutshmërinë e legjislacionit, por shpesh flet në skenën globale dhe mirëpret krerët e tjerë të shteteve në vend.

Connolly është një ish-psikologe klinike dhe avokate e cila shërbeu si zëvendëskryetare e Kuvendit në Dhomën e Ulët të parkamentit të Irlandës pasi u zgjodh për herë të parë në vitin 2016. Ajo ndërtoi “momentumin” gjatë gjithë fushatës me kritika ndaj politikave qeveritare në fusha si strehimi, duke gjetur mbështetje të gjerë veçanërisht midis votuesve të rinj.

Ajo përfitoi gjithashtu nga fushatat e dobëta nga koalicioni i qendrës së djathtë i rizgjedhur së fundmi. Humphreys u përzgjodh me nxitim pasi kandidati i parë i “Fine Gael” u tërhoq për shkak të sëmundjes, shkruan Reuters.