CIA u përpoq të rekrutonte Sir ëinston Churchill për të transmetuar propagandë në Bashkimin Sovjetik, shkrun The Telegraph. Dokumentet e sapopublikuara tregojnë se Radio Liberty, një stacion i mbështetur nga CIA në Evropën Lindore që transmetonte në Bashkimin Sovjetik, shpresonte se mund të përdorte kryeministrin britanik të kohës së luftës për t’i kthyer dëgjuesit kundër krerëve të tyre komunistë.
Në vitin 1958, kontrollorët e stacionit informuan shefat e CIA-s në Langley, Virxhinia, se po përgatisnin një seri të posaçme programesh për të shënuar 75-vjetorin e vdekjes së Karl Marksit. Në atë kohë, Rusia ishte përfshirë nga përhapja e “revizionizmit” – një largim intelektual nga Marksizëm-Leninizmi i Bashkimit Sovjetikë të hershëm.
Operativët e inteligjencës amerikane ishin të prirur të shfrytëzonin mendimtarët revizionistë, të cilët kundërshtonin ekzistencën e një blloku sovjetik të udhëhequr nga Moska, në favor të shteteve individuale komuniste.
Programet e Radio Liberty u hartuan për të “shfrytëzuar klimën e mendimit politik të freskët dhe jokonvencional” duke promovuar mendimtarë perëndimorë që do ndihmonin në minimin e shtetit sovjetik.
Radio Liberty ishte një stacion i mbështetur nga CIA në Evropën Lindore që transmetonte në Bashkimin Sovjetik. Një shënim informues, i publikuar nga CIA sipas ligjeve të lirisë së informacionit, tregon se kontrollorët e stacionit nisën një operacion special propagande midis 14 marsit dhe 5 majit 1958.
Programet synonin të “stimulonin mendimin heretik” dhe të “minonin besimin në çdo formë të Marksizmit duke sugjeruar se supozimet e tij themelore, metoda e tij historike dhe parashikimet e tij janë të rreme”. Edhe pse nuk do ishte e qartë për dëgjuesit sovjetikë në atë kohë, stacioni financohej nga CIA dhe kontrollohej efektivisht nga Uashingtoni.
Churchill ishte ndër disa figura britanike që stacioni shpresonte se do bënin transmetime, megjithëse ekspertët thonë se nuk ka asnjë provë që ai e pranoi ftesën e tyre. Shënimi informues për Churchill nuk përmban hollësi rreth transmetimit të tij të planifikuar, por thekson se “stafi i takimeve speciale në Mynih do t’u shkruajë personave të mëposhtëm dhe do të kontaktojë disa personalisht”.
Persona të tjerë të sugjeruar për transmetime propagandistike përfshinin Clement Attlee, Aneurin Bevan dhe Hugh Gaitskell, tre figura të rëndësishme Laburiste të pasluftës si dhe Arthur Koestler e Arnold Toynbee, dy intelektualë të shquar të Krahut të Majtë.
Shënimi listonte gjithashtu mysafirë potencialë nga vende të tjera si Sidney Hook, filozof, dhe Eugene Lyons, gazetar me origjinë ruse, të dy nga SHBA-ja, së bashku me Vincent Auriol, ish-presidentin francez, dhe Bruno Pittermann, zëvendëskancelarin e Austrisë.

Churchill gëzonte marrëdhënie të mira me amerikanët – shihet këtu me Presidentin Eisenhower dhe Allan Dulles, kreun e CIA-s
Radio Liberty u shfaq te dëgjuesit e saj si një stacion radioje emigrantësh, duke ofruar një perspektivë të ndryshme mbi ngjarjet botërore për qytetarët sovjetikë. Ajo u financua fshehurazi nga CIA midis viteve 1951 dhe 1972, dhe u bashkua me Radio Evropa e Lirë, e cila fokusohej në shtetet satelite sovjetike.
Stacioni vazhdon të transmetojë dhe mbetet i financuar nga qeveria amerikane. Fushata e propagandës kishte tre objektiva, të cilat të gjitha ishin hartuar për të përfituar nga mendimi i Krahut të Majtë në zhvillim brenda Bashkimit Sovjetik, duke përdorur përvjetorin e vdekjes së Marksit si pretekst.
Detyra e parë ishte të “stimulonte mendimin heretik duke treguar se jashtë Bashkimit Sovjetik Marksizmi nuk është një trup i mendimit statik, dogmatik i cili injoron realitetet bashkëkohore sociale dhe ekonomike”. CIA po përpiqej gjithashtu të “minonte besimin në çdo formë të Marksizmit duke sugjeruar se supozimet e tij themelore, metoda e tij historike dhe parashikimet e tij janë të rreme” dhe të “tregonte se e ardhmja nuk i përket idesë komuniste dhe strukturës shtetërore sovjetike”.

Churchill bëri vizitën e tij të fundit në SHBA në vitin 1959 për të takuar Eisenhower dhe John Foster Dulles, vetëm pak javë para vdekjes së këtij të fundit
Churchill njihte Alan Dulles, drejtorin legjendar të CIA-s në atë kohë, dhe John Foster Dulles, vëllain e tij dhe Sekretarin e Shtetit të SHBA-së, me të cilin u fotografua në Uashington DC dhe Londër në raste të shumta.
Në pranverën e vitit 1958, rreth të njëjtës kohë kur ai u caktua për një program propagande, ai refuzoi një ftesë për të vizituar Uashingtonin për arsye shëndetësore. Ish-kryeministri, atëherë 83 vjeç, arriti të bënte vetëm një udhëtim tjetër në Amerikë vitin pasues, për të vizituar presidentin amerikan Eisenhwoer, dhe nuk u kthye para vdekjes së tij në 1965.
Rory Cormac, profesor i Marrëdhënieve Ndërkombëtare dhe Historisë së Inteligjencës në Universitetin e Notingamit, tha se përpjekja e CIA-s për të rekrutuar Churchillin ishte tipike për strategjinë e agjencisë ndaj Bashkimit Sovjetik në vitet 1950.
“Operacionet e propagandës në Luftën e Ftohtë u hartuan për të minuar autoritetin, për të gërryer idetë ortodokse dhe për të inkurajuar vënien në pikëpyetje,” i tha ai The Telegraph.
Ai tha se qeveria e SHBA-së po kërkonte “lajmëtarë të besueshëm” për apelin e saj ndaj sovjetikëve, dhe “ndonjëherë operonte në mënyrë indirekte” përmes Radio Liberty dhe kanaleve të tjera, përfshirë gazetat.
Radio Evropa e Lirë/Radio Liberty dhe CIA nuk pranuan të komentojnë.
VINI RE: Ky material është pronësi intelektuale e The Telegraph

