
Presidenti i SHBA-së, Donald Trump, ka njoftuar ndërprerjen e të gjitha negociatave tregtare me Kanadanë, duke e cilësuar si “sjellje të rëndë” përdorimin e një reklame nga qeveria e Ontarios ku ish-presidenti Ronald Reagan kritikon tarifat.
Reklama, sipas Fondacionit Presidencial Reagan, përdor “audio dhe video të përzgjedhura në mënyrë të njëanshme” dhe është publikuar pa leje.
“Bazuar në sjelljen e tyre të egër, TË GJITHA NEGOCIATAT TREGTARE ME KANADANË JANË TË NDËRPRERA”, shkroi Trump në Truth Social.
Reklama e Ontarios, e cila sipas kryeministrit provincial Doug Ford “i ra në sy presidentit”, paraqet Reagan duke kritikuar tarifat si shkaktarë të humbjes së vendeve të punës dhe luftërave tregtare.
Fondacioni Reagan reagoi duke thënë se nuk ishte kërkuar leje për përdorimin e materialit dhe se po shqyrton opsionet ligjore, përcjell Reuters.
Trump kishte vendosur më herët tarifa mbi çelikun, aluminin dhe automjetet kanadeze, duke nxitur kundërmasa nga Ottawa. Të dyja palët kishin zhvilluar bisedime për një marrëveshje në sektorët e metaleve, por reklama e fundit duket se ka ndikuar në prishjen e dialogut.
Kryeministri kanadez Mark Carney deklaroi se “Kanada nuk do të lejojë qasje të padrejtë të SHBA-së në tregjet e saj” nëse negociatat dështojnë.
Ndërkohë, në vitin 2026 pritet rishikimi i marrëveshjes së tregtisë së lirë mes SHBA-së, Kanadasë dhe Meksikës.
Trump ka përdorur shpesh tarifat si mjet presioni ndaj vendeve të tjera, duke e çuar nivelin e tyre në SHBA në pikën më të lartë që nga vitet 1930.
Ekonomistët dhe bizneset kanë shprehur shqetësime për ndikimin e tyre në tregtinë globale.