
Universiteti i Vlorës “Ismail Qemali” ka prezantuar zyrtarisht programin e ri Master në Inxhinieri Armatimi, me profile në Aviacion dhe Naval, i pari i këtij lloji në Shqipëri.
Ky program është rezultat i bashkëpunimit ndërmjet universitetit dhe Akademisë së Forcave të Armatosura në Tiranë, me mbështetjen e Ministrisë së Mbrojtjes dhe Ministrisë së Arsimit.
Ceremonia e hapjes u zhvillua në ambientet e jashtme të universitetit, në prani të figurave të larta të jetës akademike dhe politike, përfshirë Ministrin e Mbrojtjes Pirro Vengu, Ministren e Arsimit Mirela Kumbaro, rektoren Aurela Saliaj, si dhe përfaqësues të pushtetit vendor dhe deputetë të zonës.
Ministri Vengu e cilësoi hapjen e këtij programi si “një moment historik”, duke theksuar rëndësinë e tij për formimin e specialistëve të rinj në fushat e mbrojtjes, aviacionit dhe sigurisë detare.
“Nuk është e lehtë të çelësh një program të ri dhe të ndërtosh kurrikula. Universiteti i Vlorës ishte institucioni ideal për këtë nismë”, u shpreh ai.
Rektorja Aurela Saliaj theksoi se ky master përfaqëson një hap të rëndësishëm drejt modernizimit të arsimit të lartë dhe afrimit të tij me nevojat reale të tregut të punës.
Ministrja Kumbaro e vlerësoi nismën si një model bashkëpunimi institucional që duhet të ndiqet edhe nga universitetet e tjera në vend.
Programi synon të ndërtojë ura mes formimit universitar dhe nevojave strategjike të sigurisë kombëtare, duke i dhënë Universitetit “Ismail Qemali” një rol të ri si qendër akademike dhe teknologjike në fushën e mbrojtjes.
Ai pritet të kontribuojë në përgatitjen e kuadrove të specializuar për sektorët e aviacionit dhe marinës, duke e pozicionuar Vlorën si një pikë referimi për inovacionin në jug të vendit.