SHBA-ja ka vrarë pesë persona në sulme ndaj dy gomoneve të dyshuara për kontrabandë droge në Oqeanin Paqësor, sipas Sekretarit të Luftës, Pete Hegseth. Operacionet e mëparshme të SHBA-së, për të cilat Uashingtoni thotë se synojnë trafikun e paligjshëm të narkotikëve, janë përqendruar në Detin e Karaibeve, jashtë brigjeve të Venezuelës.
Sulmet, të kryera të martën dhe të mërkurën, kishin në shënjestër gomone të “përfshira në kontrabandë të paligjshme narkotikësh” dhe u urdhëruan nga presidenti Trump, tha Hegseth në X të mërkurën. Ai shtoi se “sulmet do vijojnë” derisa të eliminohen të gjithë “narko-terroristët”.
Sipas Politico, një sulm i kryer të martën, i cili vrau dy persona, u zhvillua “diku jashtë brigjeve perëndimore të Kolumbisë”, me Uashingtonin që synonte “një vend të ri origjine” të trafiqeve të dyshuara të drogës.
Uashingtoni ka akuzuar si presidentin e Kolumbisë, Gustavo Petro, ashtu edhe atë të Venezuelës, Nicolas Maduro, se po mundësojnë ose anashkalojnë trafikun e drogës nëpërmjet territoreve të tyre shkruan Rt.
Pas sulmeve të ngjashme në Karaibe në fillim të këtij muaji, Petro dënoi bastisjet si “një agresion kundër gjithë Amerikës Latine dhe Karaibeve”, duke pretenduar se një nga anijet e shënjestruara mbante shtetas kolumbianë. Ai argumentoi se fushata e Uashingtonit ishte më pak për luftën kundër drogës dhe më shumë për të vendosur kontrollin mbi burimet natyrore të rajonit.
Petro ka një mosmarrëveshje të gjatë me Trump, të cilin e akuzoi për shkelje të të drejtave të njeriut gjatë goditjes së tij ndaj emigrantëve të paligjshëm. Muajin e kaluar, SHBA-ja i hoqi vizën Petros pasi ai u bëri thirrje ushtarëve amerikanë të mos zbatonin urdhrat e Trump.
Zyrtarët venezuelianë, ndërkohë, thonë se sulmet janë pjesë e një përpjekjeje më të gjerë të SHBA-së për të eliminuar Maduron, një pozicion i mbështetur edhe nga Rusia. Ambasadori i Moskës në Kombet e Bashkuara, Vassily Nebenzia, akuzoi në fillim të këtij muaji Uashingtonin se po planifikonte një grusht shteti në Venezuelë nën maskën e një fushate anti-drogë.
