Vendosni fjalën kyçe....

Tentoi të vriste gjyshin, kapet në Kapshticë 35-vjeçari që po përpiqej të kalonte kufirin


Një 35-vjeçar është arrestuar nga Policia Kufitare në Kapshticë, teksa tentonte të kalonte kufirin në mënyrë të paligjshme.

Sipas njoftimit zyrtar, ai ishte në kërkim për një ngjarje të rëndë të ndodhur më 4 tetor 2025, ku dyshohet se ka tentuar të vrasë gjyshin e tij me thikë.

Shtetasi V. Sh., banues në Bilisht, u kap në fshatin Vërnik, Devoll, nga shërbimet e Kufirit të Gjelbërt në Pikën Kufitare Kapshticë.

Arrestimi u krye në kuadër të kontrolleve intensive për parandalimin e krimeve ndërkufitare dhe kapjen e personave në kërkim.

“Tentoi të kalonte kufirin në mënyrë të paligjshme, kapet dhe vihet në pranga 35-vjeçari në kërkim, i cili dyshohet se tentoi të vriste me thikë gjyshin e tij, më datë 04.10.2025”, thuhet në njoftimin e Drejtorisë Vendore të Kufirit dhe Migracionit Korçë.

Prokuroria e Korçës kishte lëshuar urdhër ndalimi për V. Sh. për veprat penale “Vrasja për shkak të marrëdhënieve familjare” mbetur në tentativë dhe “Prodhimi, mbajtja, blerja apo shitja pa leje e armëve të ftohta”.

Ai dyshohet se ka goditur disa herë me thikë gjyshin e tij, duke i shkaktuar plagë të rënda.

Materialet procedurale janë referuar Prokurorisë për veprime të mëtejshme, ndërsa hetimet për ngjarjen vijojnë.