Vendosni fjalën kyçe....

Sanksionet e Trump-it ndaj naftës ruse shkaktojnë ankth në Indi e zemërim në Moskë


Presidenti i SHBA-së, Donald Trump, goditi dy kompanitë më të mëdha ruse të naftës me sanksione në një ndryshim të mprehtë të politikës mbi luftën e Moskës në Ukrainë, duke bërë që çmimet globale të naftës të rriten me 5% të enjten dhe India të shqyrtojë shkurtimin e importeve ruse.

Sanksionet synojnë gjigantët e naftës Rosneft dhe Lukoil, të cilat së bashku përbëjnë më shumë se 5% të prodhimit global të naftës, dhe shënojnë një kthesë dramatike nga Trump, i cili vetëm javën e kaluar tha se ai dhe presidenti rus Putin së shpejti do mbanin një samit në Budapest për të provuar t’i japin fund luftës në Ukrainë.

Megjithatë, Trump, në ndryshimin e tij të fundit të qëndrimit për luftën, tha të mërkurën se samiti i planifikuar u anulua sepse nuk do arrinte rezultatin që ai dëshironte dhe u ankua se shumë “biseda të mira” me Putinin nuk “çuan askund”.

“Anuluam takimin me presidentin Putin, thjesht nuk mu duk e drejtë që ta takoja,” u tha Trump gazetarëve në Shtëpinë e Bardhë.

“Nuk kisha ndjesinë se do shkonim në pikën ku duhet të shkojmë. Kështu që e anulova, por do ta bëjmë në të ardhmen.”

Rusia nënçmon ndikimin e sanksioneve

Rusia i quajti sanksionet e reja të SHBA-së joproduktive dhe sinjalizoi se kushtet e saj për t’i dhënë fund luftës në Ukrainë, të cilat Kievi dhe shumë vende evropiane i shohin si dorëzim, mbeten të pandryshuara.

Ndërkohë krerët e Bashkimit Evropian dhe presidenti i Ukrainës Zelensky, u takuan në Bruksel të enjten për të diskutuar financimin për Ukrainën, me një vrull në rritje për të përdorur asetet ruse të ngrira për të siguruar një hua prej 140 miliardë eurosh për Kievin. Moska tha se do jepte një “kundërpërgjigje të dhimbshme” nëse asetet sekuestroheshin.

Dronët rusë sulmuan kryeqytetin ukrainas në natën e dytë radhazi, duke plagosur nëntë persona, thanë zyrtarët, ndërsa forcat ruse të mbrojtjes ajrore raportuan se kishin rrëzuar 139 dronë ukrainas.

Duke zbuluar sanksionet ndaj naftës, Scott Bessent, Sekretari i Thesarit i SHBA-së, e bëri të qartë se Uashingtoni po synonte aftësinë e Rusisë për të financuar atë që është bërë lufta më e madhe tokësore e Evropës që nga Lufta e Dytë Botërore dhe ishte gati të merrte masa të mëtejshme.

“Duke pasur parasysh kundërshtimin e presidentit Putin për t’i dhënë fund kësaj lufte pa kuptim, Thesari po sanksionon dy kompanitë më të mëdha të naftës ruse që financojnë makinerinë luftarake të Kremlinit,” tha Bessent në një deklaratë.

“Ne nxisim aleatët tanë të bashkohen me ne dhe të respektojnë këto sanksione.”

Të ardhurat ruse nga nafta dhe gazi, aktualisht në rënie me 21% nga viti në vit, përbëjnë rreth një të katërtën e buxhetit të saj dhe janë burimi më i rëndësishëm i parave për luftën e Moskës në Ukrainë, tani në vitin e saj të katërt.

Megjithatë, burimi kryesor i të ardhurave të Moskës vjen nga taksimi i prodhimit, jo i eksporteve, gjë që ka të ngjarë të zbusë ndikimin e menjëhershëm të sanksioneve në financat shtetërore.

Maria Zakharova, një zëdhënëse e Ministrisë së Jashtme Ruse, e nënçmoi ndikimin e mundshëm, duke thënë se Moska kishte zhvilluar atë që ajo e quajti një “imunitet të fortë” ndaj kufizimeve të tilla.

Lukoil pritej të mbante një takim të bordit të enjten për të diskutuar dividentët, por e anuloi atë në dritën e “rrethanave të reja”.

Zelensky kërkon më shumë presion mbi Moskën

Zelensky i Ukrainës falënderoi Shtetet e Bashkuara për sanksionet e reja, duke thënë se ato ishin “shumë të rëndësishme”, por se do të nevojitej më shumë presion mbi Moskën për ta bërë atë të binte dakord për një armëpushim.

Çmimet e naftës u rritën me 5% të enjten mes shqetësimeve se sanksionet do ndërprisnin furnizimin global. Burime të industrisë indiane të naftës i thanë Reuters se rafineritë indiane ishin gati të shkurtonin ndjeshëm importet e naftës ruse për t’u siguruar që ato ishin në përputhje me sanksionet e SHBA-së.

India është bërë blerësi më i madh i naftës ruse të transportuar nga deti, e shitur me zbritje pasi kombet perëndimore shmangën blerjet dhe vendosën sanksione ndaj Moskës për shkak të Ukrainës.

Thesari i SHBA-së u ka dhënë kompanive afat deri më 21 nëntor për të mbyllur transaksionet e tyre me prodhuesit rusë të naftës.

Disa analistë thonë se sanksionet e reja mund ta detyrojnë Rusinë të zbesë më tej çmimin e naftës së saj në tregjet botërore për të kompensuar rrezikun e perceptuar të sanksioneve dytësore të SHBA-së, por kjo dhimbje nga ana tjetër mund të zbutet nëse çmimet globale të naftës rriten.

Pozicioni ndryshues i Trump-it mbi armëpushimin

Pas një samiti të gushtit me Putinin në Alaska, Trump hoqi dorë nga kërkesa e tij për një armëpushim të menjëhershëm në Ukrainë dhe përqafoi opsionin e preferuar të Moskës për të shkuar drejtpërdrejt në negociimin e një marrëveshjeje paqeje të përgjithshme.

Por ditët e fundit ai i është kthyer idesë së një armëpushimi të menjëhershëm, diçka që Kievi e mbështet, por që Moska, forcat e së cilës po përparojnë në mënyrë të qëndrueshme në fushën e betejës, e ka bërë vazhdimisht të qartë se nuk ka interes.

Rusia ka thënë se kundërshton një armëpushim sepse beson se do ishte vetëm një pauzë e përkohshme para se të rifillonte lufta, duke i dhënë Ukrainës kohë dhe hapësirë për t’u riarmatosur në një kohë kur Moska thotë se ka nismën në fushën e betejës.

Rusia, e cila në një shfaqje force kreu stërvitje me armë bërthamore të mërkurën, argumenton se negociimi i një marrëveshjeje të plotë paqeje që hap rrugën për atë që e quan një “paqe afatgjatë” është për këtë arsye një mundësi më e mirë.

Por Kievi ka thënë se kushtet e Rusisë për një zgjidhje – të cilat do nënkuptonin dorëzimin e më shumë toke nga Ukraina – ishin të papranueshme dhe, në fakt, një kërkesë që ajo të dorëzohej.

Zakharova, zëdhënësja e Ministrisë së Jashtme të Rusisë, tha se sanksionet kishin “një karakter jashtëzakonisht kundërproduktiv” kur bëhej fjalë për përpjekjen për të gjetur një zgjidhje të negociuar.

Ish-presidenti rus Dmitry Medvedev i krahasoi veprimet e Trump-it me “një akt lufte”, shkruan Reuters.