Vendosni fjalën kyçe....

Osmani në Berlin: Ballkani Perëndimor duhet të shihet si potencial, jo si barrë për BE-në



Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, u bëri thirrje udhëheqësve evropianë që ta shohin rajonin e Ballkanit Perëndimor si mundësi zhvillimi dhe stabiliteti, jo si një ngarkesë politike. Gjatë një bashkëbisedimi në një universitet në Berlin, ajo theksoi se zgjerimi i Bashkimit Evropian duhet të trajtohet si domosdoshmëri strategjike për vetë BE-në, përcjell REL.

“Mendoj se është koha që Ballkani Perëndimor të shihet si potencial e jo si barrë”, u shpreh Osmani, duke shtuar se procesi i zgjerimit nuk duhet të varet nga llogaritë e brendshme politike të vendeve anëtare.

Ajo theksoi se Kosova e ka harmonizuar 100 për qind politikën e saj të jashtme me atë të BE-së, përfshirë edhe sanksionet ndaj Rusisë, ndërkohë që kritikoi shtetet e rajonit që nuk e kanë bërë këtë. “Nuk mund të ulesh në dy karrige njëherësh. Nuk duhet të ketë një zonë gri”, deklaroi Osmani, duke iu referuar qëndrimit të Serbisë ndaj Moskës.

Sipas saj, Ballkani Perëndimor ofron tri shtylla kyçe për Evropën: potencial njerëzor, ekonomik dhe të sigurisë. “Sa më shumë që rajoni ynë afrohet me BE-në, aq më shumë do të ketë paqe e stabilitet në kontinent”, shtoi ajo.

Presidentja kosovare u shpreh gjithashtu në favor të heqjes së vetos në vendimmarrjen e BE-së, duke argumentuar se “një vend nuk mund të bllokojë vullnetin e të gjithëve”.

Në fjalën e saj, Osmani përsëriti akuzat ndaj Serbisë dhe Rusisë, duke i cilësuar si “kërcënim të drejtpërdrejtë për Kosovën dhe rajonin”.

Aktualisht, Kosova mbetet i vetmi shtet i Ballkanit Perëndimor pa statusin e vendit kandidat për BE. Aplikimi për anëtarësim, dorëzuar në dhjetor të vitit 2022, nuk ka kaluar ende fazën e parë të shqyrtimit në Këshillin e BE-së.