Vendosni fjalën kyçe....

“Nuk e njoh noteren Vjollca Selimi, akti noterial i saj lejoi veprimet e paligjshme të Valon Llukës” – Pacolli


Biznesmeni Behgjet Pacolli, tejet aktiv ditët e fundit në rrjetet sociale që pas nisjes së një hetimi nga prokuroria e Tiranës për aeroportin e Vlorës dhe vendimit të Gjykatës së Tiranës që i ka bllokuar çdo vendim ndaj koncesionarit të aeroporti, ka bërë sot një tjetër reagim.

Ai shkruan se nuk e njeh noteren Vjollca Selimi, lidhur me procedurën e kalimit të aksioneve nga kompania e tij MABCO te ajo 2A e Valon Llukës. Sipas Pacollit, asnjë përfaqësues i kompanisë së tij MABCO nuk ka qenë në zyrën e noteres, nuk e ka takuar atë dhe as ka nënshkruar ndonjë prokurë në prani të saj.

Pacolli shkruan më tej se Selimi pretendon se një akt noterial i vitit 2023 është nënshkruar prej Pacollit, gjë të cilën ai e cilëson të pavërtetë.

Biznesmeni shton se akti noterial në fjalë përbën një element themelor dhe pretendon se Lluka ka kryer veprime të jashtëligjshme në fillim të muajit prill, duke tentuar të transferojë 47% të aksioneve.

Reagimi i Pacollit vjen pasi një vendimi të Gjykatës së Tiranës sot, që vendosi të bllokojë çdo veprim të mundshëm të tij ndaj koncensionarit të Aeroportit Ndërkombëtar të Vlorës.

Sipas vendimit, Gjykata e Tiranës ka pranuar kërkesën e paraqitur dhe ka marrë masën e sigurimit të padisë ndaj Shoqërisë “Vlora International Airport – VIA” SH.P.K., duke pezulluar çdo vendim të planifikuar në Asamblenë e Përgjithshme të Ortakëve, e cila ishte caktuar të mbahej më 20 tetor 2025.

Gjithashtu në bazë të vendimit pezullohet e drejta e votës e ortakut të shumicës, Shoqërisë “Mabco Constructions SA”, deri në regjistrimin e kontratës së shitjes së 49% të kuotave të kapitalit të shoqërisë VIA sh.p.k., të transferuara më 3 prill 2025 tek blerësi “2A Group” sh.p.k.

Më herët një shkrim i publikuar nga Hashtag.al, ngrinte pikëpyetje dhe hodhi dritë mbi mënyrën si ka vepruar Pacolli me ndërtimin e Aeroportit Ndërkombëtar të Vlorës, duke ngritur shqetësime se mund të jetë duke krijuar korridor për interesa strategjike ruse në Shqipëri.

Deklarata e Pacollit

DEKLARATË PËR OPINIONIN PUBLIK

Gjithë perfoljet dhe kjo situatë në lidheshmeri më VIA ka ardhur si pasojë e veprimeve të papërgjegjshme dhe të dyshuara të kundërligjshme të noteres Vjollca Selimi, të ndërmarra në mënyrë të fshehtë dhe në mungesë të plotë të palës së ligjshme.

Në respekt të së drejtës për informim të opinionit publik, deklaroj sa vijon:

Sipas njoftimeve të publikuara sot në media, noterja në Tiranë, znj. Valbona  Selimi, ka pretenduar se palët kanë qenë të pranishme gjatë nënshkrimit të aktit të transferimit të aksioneve nga MABCO Construction SA në shoqërinë “2A”.

Me këtë rast, sqaroj publikisht se as unë dhe as ndonjë person i autorizuar nga MABCO Construction SA, me seli në Lugano, pronare e 98% të aksioneve të cilat rrjedhin nga investimi në Aeroportin Ndërkombëtar të Vlorës, nuk kemi qenë ndonjëherë në zyrën e saj, nuk e kemi takuar noteren Selimi, nuk kemi pasur asnjë komunikim me të apo me përfaqësues të saj dhe nuk kemi nënshkruar asnjë dokument apo prokurë në praninë e saj. Madje, deri më sot, nuk kemi dijeni se ku ushtron aktivitetin e saj noterial.

Megjithatë, në një akt noterial të vitit 2023, ( qe noterja e perdore joligjerishtë si pjese e dokumentacionit për trensfer të pronës) të cilin ajo e cilëson si prokurë, noterja Selimi ka përfshirë deklarime të pavërteta, duke pretenduar me shkrim se unë, Behgjet Pacolli, paskam qenë fizikisht i pranishëm në zyrën e saj, ajo paskësh kryer identifikimin tim, më paskësh lexuar aktin në prani të një përkthyeseje të gjuhës angleze dhe se, pas miratimit tim, paskam nënshkruar dokumentin përkatës.

Këto pretendime janë plotësisht të rreme.

Unë nuk e njoh noteren Selimi,

Asnjehere nuk kam nënshkruar ndonje akt në prezencen e saj

Une nuk kam qene asnjehere ne zyret apo ambientet e saj

nuk kam dijeni për ekzistencën e një përkthyeseje të tillë dhe

asnjë tekst nuk më është lexuar apo paraqitur ndonjëherë për nënshkrim nga ajo ose nga ndonjë person përfaqësues i saj në lidhje me aktet e përmendura.

Në vijim, theksoj se ky akt noterial përbën një element themelor të veprimtarisë së dyshuar të kundërligjshme të ndërmarrë nga z. Valon Lluka @ co., me të cilin, në fillim të muajit prill, ka tentuar te realizoi transferimin e 47% të aksioneve, duke e mbajtur atë të fshehur deri në momentin kur është zbuluar rastësisht kater muaj me vone 18 gusht 25, në dokumentacionin e ish–administratorit të shoqërisë VIA.

Ky akt i kryer në mënyrë të fshehtë përbën burimin dhe shkakun fillestar të kësaj situate me të cilën po përballemi sot.