
Liderët e Bashkimit Evropian po mblidhen të enjten në Bruksel me një qëllim të qartë: të mbështesin përpjekjet për paqe të presidentit ukrainas Volodymyr Zelenskyy dhe të ruajnë angazhimin e presidentit amerikan Donald Trump ndaj Ukrainës, përcjell Euronews.
Zelenskyy pritet të marrë pjesë personalisht në samit, ndërsa krerët evropianë pritet të shprehin mbështetje të plotë për të, pas një takimi të vështirë që ai zhvilloi javën e kaluar në Uashington.
Në prag të samitit, vendet e BE-së miratuan paketën e 19-të të sanksioneve ndaj Rusisë, e cila synon industrinë e gazit natyror të lëngshëm (LNG), infrastrukturën e naftës, “flotën hije” dhe kriptovalutat, si dhe kufizime mbi lëvizjet e diplomatëve rusë në territorin e bllokut.
Një nga çështjet më të ndërlikuara në rendin e ditës pritet të jetë propozimi i Komisionit Evropian për krijimin e një huaje për dëmshpërblime — duke përdorur asetet ruse të ngrira në Belgjikë për të financuar mbrojtjen dhe rindërtimin e Ukrainës. BE-ja synon që kjo nismë të jetë plotësisht e ligjshme dhe e mbrojtur nga çdo kundërshtim juridik.
Gjatë samitit, liderët do të diskutojnë gjithashtu për forcimin e mbrojtjes evropiane dhe mënyrat për të rritur konkurrueshmërinë ekonomike të BE-së, pa devijuar nga objektivat e saj klimatike. Një zyrtar i BE-së e përshkroi dosjen e klimës si “më të vështirën” për t’u trajtuar nga krerët e shteteve.
Në axhendë janë gjithashtu çështjet e Lindjes së Mesme, migracionit dhe strehimit, të cilat pritet të shkaktojnë debat të gjerë mes udhëheqësve evropianë.