
Një ngjarje e rëndë ka tronditur qytetin e Durrësit pas mesnate, ku dy persona mbetën të vrarë me armë zjarri në Manëz.
Sipas të dhënave paraprake, ngjarja ndodhi rreth orës 01:45 të datës 22 tetor 2025, pranë një karburanti në zonë, pas një konflikti të çastit për motive të dobëta.
Burime për BW bëjnë me dije se viktimat janë Aranit Kurti, 23 vjeç, dhe Flori Paluçi, 33 vjeç, të dy banues në Manëz.
Nga hetimet paraprake, dyshohet se Flori Paluçi ka vrarë me armë zjarri Aranit Kurtin, ndërsa më pas është qëlluar për vdekje nga D. P., 21 vjeç, gjithashtu banues në Manëz.
Policia po kryen kontrolle intensive për kapjen e autorit të dyshuar, ndërsa një grup i posaçëm hetimor nën drejtimin e prokurorit ndodhet në vendngjarje për zbardhjen e plotë të rrethanave dhe identifikimin e çdo personi të përfshirë në këtë ngjarje.