
Vetëm 12% e sinjalizimeve për rrjedhje metani të zbuluara nga satelitët janë adresuar nga qeveritë dhe kompanitë e naftës dhe gazit, sipas një raporti të Kombeve të Bashkuara të publikuar sot, pak javë para samitit të klimës COP30.
Kjo shifër tregon për një përmirësim të vogël krahasuar me vitin e kaluar, kur vetëm 1% e rasteve u ndoqën me veprime konkrete.
Observatori Ndërkombëtar për Emetimet e Metanit, që përdor të dhëna nga mbi 17 satelitë për të monitoruar rrjedhjet, ka dërguar mbi 3,500 sinjalizime për rrjedhje në sektorin e naftës dhe gazit, por përgjigjet kanë qenë të pakta, përcjell Reuters.
“Veprimet mbeten shumë të ngadalta,” deklaroi Inger Andersen, drejtoreshë ekzekutive e Programit të Mjedisit të OKB-së, që mbikëqyr sistemin e alarmit dhe reagimit për metanin.
Metani qëndron më pak në atmosferë sesa dioksidi i karbonit, por është shumë më i fuqishëm në kapjen e nxehtësisë. Për këtë arsye, shkencëtarët e konsiderojnë reduktimin e metanit si mënyrën më të shpejtë për të frenuar ngrohjen globale në afat të shkurtër.
Më shumë se 150 vende kanë nënshkruar angazhimin e vitit 2021 për të ulur emetimet e metanit me 30% brenda kësaj dekade.
“Po flasim për ndërhyrje të thjeshta në disa raste,” tha Andersen, duke iu referuar rrjedhjeve nga proceset e shkarkimit dhe djegies së kontrolluar në industrinë e naftës dhe gazit.
Raporti përmend 25 raste ku sinjalizimet çuan në ndalimin e rrjedhjeve të mëdha.
Ndërkohë, investitorë që përfaqësojnë mbi 4.5 trilionë euro pasuri kanë kërkuar nga BE-ja të mos zbusë ligjin për emetimet e metanit, mes shqetësimeve se rregullat mund të lehtësohen për të lehtësuar importet e LNG-së nga SHBA.
Observatori synon të zgjerojë mbikëqyrjen edhe në sektorë të tjerë me emetime të larta si qymyri metalurgjik për prodhimin e çelikut, mbetjet dhe bujqësia, tha Giulia Ferrini, drejtuese e observatorit.
Në prag të COP30, raporti i OKB-së vë në dukje se pavarësisht angazhimeve ndërkombëtare, zbatimi praktik për frenimin e metanit mbetet shumë prapa nevojave urgjente të klimës.