Kreu i grupit parlamentar të PD-së Bardhi akuzon ministren e Infrastrukturës Belinda Balluku si emrin dhe firmën e çdo afere korruptive të qeverisë Rama.
Ai ka publikuar disa dokumente teksa thekson se afera e Aeroportit të Vlorës është provuar me dokumente shtetërore si procedurë fiktive, me kompani fiktive dhe me veprime në shkelje të ligjit.
“Belinda Balluku është emri dhe firma e çdo afere korruptive të qeverisë së Edi Ramës. Mega-afera e koncesionit të Aeroportit të Vlorës është provuar me dokumente shtetërore si një procedurë fiktive, me kompani fiktive dhe me veprime të kryera hapur në mashtrim të ligjit. Në çdo faqe të kësaj skeme shfaqet i njëjti emër: Belinda Balluku.” – shkruan Bardhi.
Demokrati nënvizon se dokumenti i procedurëës tregon se kompanitë MABCO dhe 2A Group nuk plotësonin kriteret për të fituar koncesionin e Aeroportit të Vlorës. Për këtë arsye ato kanë futur në kosnorcium kompaninë turke YDA Group që kishte përvojë në ndërtimin e aeroporteve.
Por një vit më pas kompania turke shet aksionet te një nga dy kompanitë koncesionare për 4450 euro të një koncesioni me vlerë 700 milionë euro.
“Pak histori për shumë korrupsion. Dokumentacioni zyrtar i procedurës tregon qartë se kompanitë Mabco Construction dhe 2A Group nuk plotësonin kriteret ligjore për të fituar koncesionin e Aeroportit të Vlorës. Për këtë arsye, gjatë aplikimit, ato futën në mënyrë fiktive në konsorcium kompaninë turke YDA Group, e vetmja me eksperiencë reale në ndërtimin e aeroporteve.
Por vetëm një vit pas shpalljes fitues, YDA Group u tërhoq nga zotërimi i 40% të aksioneve. Aksionet u shitën tek njëra nga kompanitë koncesionare për shumën qesharake prej 4 450 euro. Pra, 40% e një aeroporti ndërkombëtar, me fitime të parashikuara mbi 700 milionë euro, u vlerësuan sa një makinë e vjetër e përdorur! Në çdo shtet normal, ky akt do të kishte anuluar automatikisht koncesionin. Por në Shqipërinë e Edi Ramës dhe Belinda Ballukut, nuk ka asgjë normale – ka vetëm korrupsion, vjedhje dhe zhvatje.” – shton Bardhi.
Në fund kreu i grupit demokrat shkruan se vetëm dokumenti i firmosur nga Balluku për shitjen e aksioneve të kompanisë turke te kompania me pronar shqiptar duhet t’i kishte mjaftuar SPAK-ut për të nisur hetimet ndaj Ballukut.
“Një krim i shkruar në letra. Ministrja përgjegjëse për koncesionin e Aeroportit të Vlorës, Belinda Balluku, miratoi tërheqjen e kompanisë turke pa bërë asnjë zhurmë, pa ngritur asnjë shqetësim dhe duke pranuar zyrtarisht fiktivitetin e gjithë procedurës. Vetëm dikush i përfshirë që në nisje në skemën korruptive mund të heshtë në një situatë kaq flagrante fiktiviteti. Do të mjaftonte vetëm publikimi i shkresës, ku Belinda Balluku lejon transferimin e aksioneve dhe pranon zyrtarisht fiktivitetin e procedurës, që sot SPAK të kishte shkuar në zyrën e saj për ta nxjerrë prej aty dhe për ta mbyllur në Pjoskë. Ky krim nuk është edhe aq intelektual sa t’i shpenzojë SPAK-ut shumë kohë për ta hetuar. Procedura fiktive është në letra. Në letra janë edhe lidhjet familjare të Belinda Ballukut me njërën prej kompanive koncesionare. Krimi është njësoj flagrant si afera tjetër e Edi Ramës dhe Belinda Ballukut me 53 milionët eurot PLUS të Tunelit të Llogarasë. Edhe ky një krim aspak intelektual, por dosja e të cilit qëndron ende e paprekur në SPAK. Faktet janë publike, dokumentet ekzistojnë. Çështja është se na duhen prokurorë që nuk kanë vija të kuqe të paracaktuara për pandëshkueshmërinë apo prokurorë që nuk intimidohen nga krimi i organizuar. Kjo mbetet ende për t’u provuar!” – mbyll reagimin Bardhi.




