Vendosni fjalën kyçe....

Kavajë/ Zbulimi i parcelave me kanabis, pezullohen 4 efektivë policie për shpërdorim detyre


Agjencia e Mbikëqyrjes Policore (Rajoni Durrës–Kavajë), në bashkëpunim me Prokurorinë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Durrës, ka ekzekutuar masa sigurie ndaj katër punonjësve të policisë, të dyshuar për shpërdorim detyre në lidhje me mosveprimet e tyre për parandalimin e kultivimit të bimëve narkotike.

Masat e marra janë të tipit “pezullim nga detyra apo shërbimi publik”, në kuadër të hetimeve për veprën penale të parashikuar nga neni 248 i Kodit Penal.

Të pezulluarit janë:

Komisar Afrim Meçe, në kohën e ngjarjes Shef i Seksionit për Hetimin e Krimeve në Volum në Komisariatin e Policisë Kavajë, aktualisht në të njëjtin funksion në Komisariatin e Divjakës;

Nënkomisar Edlir Kazazi, Specialist për Hetimin e Krimeve në Volum në Komisariatin e Policisë Kavajë;

Inspektor Rosario Çollaku, në kohën e ngjarjes Nën/Specialist i Policimit në Komunitet në Kavajë, aktualisht pjesë e Shërbimit të Trafikut Urban dhe Interurban;

Nënkomisar Saimir Kazazi, Specialist dhe Koordinator për Policimin në Komunitet në Komisariatin e Policisë Kavajë.

Sipas hetimeve të AMP-së, punonjësit e pezulluar nuk kanë kryer kontrollet e nevojshme në zonat e mbulimit të tyre për parandalimin e kultivimit të bimëve narkotike. Si pasojë e këtyre mosveprimeve, janë zbuluar dhe sekuestruar 550 bimë kanabisi të mbjella në territorin që ata ishin të ngarkuar të monitoronin.