Kreu i PD-së Berisha akuzoi zv.kryeministren Belinda Balluku për kontratën e aeroportit të Vlorës.
Ai tha se skema financiare dhe menaxhimi i projektit është një skemë kriminale në kurriz të taksapaguesve shqiptarë.
Sipas kryedemokratit, dy ish-ministra e kanë hedhur poshtë firmën për projektin në fjalë dhe se Balluku ka vjedhur miliona euro me kontratën për aeroportin e Vlorës.
“Duhet të deklaroj këtu se dy ministra refuzuan firmën e kësaj kontrate. E refuzoi Arben Ahmetaj dhe Damian Gjiknuri, dhe e refuzuan për shkakun se kompania kërkonte 120 mln euro pagesa nga qeveria edhe sikur asnjë avion të mos fluturonte në këtë aeroport pas përfundimit të tij. Një çmenduri. Të dalësh të kapardisesh si ‘Lubia’ po ndërtojmë në Vlorë aeroportin më të madh të Ballkanit, duke dëshmuar injorancën më të madhe dhe babëzinë më të tmerrshme. Logjika ekonomike dhe e gjithanshme imponon ndërtim me faza, por që në fillim të na thuash se do ndërtojmë aeroportin më të madh në Ballkan për të mbuluar vjedhjen e tmerrshme që ke planifikuar për të bërë, është e papranueshme.” – deklaroi Berisha, duke krahasuar rastin me projektin e aeroportit të Kukësit, për të cilin tha se është kthyer “në park voltaik”.
