Vendosni fjalën kyçe....

Rama në Forumin për Politikat dhe Sigurinë Globale: Europa duket si një gjigand i vjetër e i lodhur, duhet të zgjohet


Kryeministri Edi Rama, i pranishëm në Londër për Samitin e Procesit të Berlinit dhe në Forumin për Sigurinë dhe Politikat Globale, u shpreh për situatën e Europës dhe rolin e saj në skenën globale.

Duke iu përgjigjur një pyetjeje mbi deputetin britanik Nigel Farage, Rama tha se retorika e tij nuk përbën problemin kryesor.

“Të veçosh Farage si problemin praktikisht është të largohesh nga rrënjët e problemit. Farage nuk është problem, është pasqyra ku njerëzit mund të shohin në mënyrë teatrale disa prej sfidave të Britanisë së Madhe. Zgjidhja nuk është ta shfaqësh atë si kokë turku; zgjidhja duhet të jetë të adresosh problemet dhe t’i bësh njerëzit të besojnë te vendi i madh,” theksoi Rama.

Sa i përket gjendjes së Europës, kryeministri theksoi nevojën për reflektim dhe për të dëgjuar perspektiva të jashtme.

“Nëse dikush do të kuptojë më mirë çfarë po ndodh me Europën, duhet të hapë veshët dhe të dëgjojë të tjerët jashtë Europës, mendjet e mëdha dhe të ndritura që e shohin Europën si një gjigand të vjetër dhe të lodhur, që nuk është më në gjendje të përshtatet me ndryshimet globale. Për shembull, më pak se 40 vjet më parë PBB-ja e Europës ishte më e madhe se ajo e Kinës; sot janë në nivel të barabartë, dhe brenda 20 vjetësh Kina do të ketë dyfishin e PBB-së së Europës,” tha Rama.