
Në Këshillin e Sigurimit të Kombeve të Bashkuara u zhvillua të martën një debat i ashpër mes kryediplomatëve të Kosovës dhe Serbisë, gjatë shqyrtimit të raportit gjashtëmujor të Sekretarit të Përgjithshëm të OKB-së për misionin e saj në Kosovë, UNMIK.
Ministrja e Jashtme në detyrë e Kosovës, Donika Gërvalla, dhe ministri i Jashtëm serb, Marko Gjuriq, shkëmbyen akuza të ndërsjella, ndërsa raporti i paraqitur nga zëvendëspërfaqësuesi special i UNMIK-ut, Milbert Dongjoon Shin, kërkoi ndëshkimin e përgjegjësve për sulmin në Banjskë në vitin 2023 dhe theksoi nevojën për përfshirjen e komuniteteve serbe në proceset vendimmarrëse në Kosovë, përcjell REL.
Raporti mbulon periudhën 16 mars – 15 shtator 2025 dhe i bën thirrje Beogradit dhe Prishtinës të ndëshkojnë autorët e sulmit të armatosur në Banjskë, ku një oficer i Policisë së Kosovës u vra nga një grup serbësh të armatosur. Ndër të pandehurit kryesorë është Milan Radoiçiq, ish-nënkryetar i Listës Serbe, që mori publikisht përgjegjësinë për sulmin, por ndaj të cilit Serbia ende nuk ka ngritur aktakuzë.
Shin përshëndeti mbajtjen e zgjedhjeve lokale në Kosovë dhe dialogun me Serbinë nën ndërmjetësimin e BE-së, por paralajmëroi për tensionet që lidhen me mbylljen e institucioneve serbe dhe heqjen e dinarit si mjet pagese. Ai tha se këto masa mund të krijojnë “sfida administrative” për komunitetet pakicë.
Duke reaguar ndaj raportit, ministrja Donika Gërvalla e quajti atë “të anshëm dhe të paplotë”. Ajo akuzoi Serbinë për “propagandë sistematike nën kontrollin e Vuçiqit” dhe për përgatitje të opinionit për agresion kundër Kosovës.
“Serbia është një kërcënim i vërtetë për rajonin. Incidenti në Banjskë tregoi se Beogradi ishte gati për luftë. Njeriu që mori përgjegjësinë për sulmin është krahu i djathtë i Vuçiqit dhe sot trajtohet si mysafir nderi i regjimit,” tha ajo.
Gërvalla theksoi se Kosova mbetet e përkushtuar ndaj dialogut me Serbinë, por kërkoi një “dialog të vërtetë, jo mashtrime të Vuçiqit”.
Nga ana tjetër, ministri serb Marko Gjuriq e përshëndeti raportin e UNMIK-ut si “të balancuar dhe realist”, duke akuzuar Prishtinën për “shkelje sistematike të të drejtave të njeriut të serbëve në Kosovë”.
“Që kur Albin Kurti erdhi në pushtet, janë regjistruar 37 incidente kundër komunitetit serb. Ky është një spastrim i qetë etnik dhe një dështim moral për të vepruar,” deklaroi Gjuriq.
Ai shtoi se qeveria e Kosovës ka mbyllur 128 institucione jetike në zonat me shumicë serbe, përfshirë shkolla, spitale dhe zyra të Kryqit të Kuq.
Përfaqësuesi i Shteteve të Bashkuara në Këshillin e Sigurimit tha se nuk ka kërcënime për sigurinë në Kosovë dhe mbështeti mbylljen e misionit të UNMIK-ut, duke e quajtur atë “mision pa paqeruajtës”.
Edhe Bashkimi Evropian, përmes përfaqësuesit të tij Stavros Lambrinidis, kërkoi që Serbia të ndëshkojë autorët e sulmit në Banjskë dhe që të dyja palët të shmangin veprimet e njëanshme që rrisin tensionet në veri të Kosovës.
Lambrinidis përshëndeti mbajtjen e zgjedhjeve lokale në Kosovë dhe kërkoi pjesëmarrjen e komunitetit serb në to, si dhe një dorëzim të qetë të pushtetit në komunat me shumicë serbe.