
Presidenti i Partisë së Lirisë, Ilir Meta, ka depozituar një kërkesë në Gjykatën e Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit Organizuar për shuarjen e masës së sigurisë, sipas BW.
Meta ndodhet në paraburgim që nga tetori i vitit 2024 dhe aktualisht po gjykohet në seancë paraprake për akuzat e korrupsionit, pastrimit të parave dhe fshehjes së pasurisë.
Në të njëjtën dosje janë të pandehur edhe ish-bashkëshortja e tij, Monika Kryemadhi, ish-vjehrra Fatime Kryemadhi, si dhe Piro Xhixho dhe Ema Çoku.
Në kërkesën e tij, Meta thekson se ka për qëllim shuarjen e masës së arrestit në burg, të vendosur më 20 dhe 23 tetor 2024 nga Gjykata e Shkallës së Parë Kundër Korrupsionit dhe Krimit Organizuar dhe lënë në fuqi më 19 nëntor 2024 nga Gjykata e Posaçme e Apelit Kundër Korrupsionit dhe Krimit Organizuar.
Gjykata pritet të shqyrtojë kërkesën në ditët në vijim, duke vendosur nëse Meta mund të lirohet nga paraburgimi.
