
Një ngjarje e rëndë është regjistruar në Tiranë, ku një vajzë 16-vjeçare ka tentuar t’i japë fund jetës në momentin kur po denonconte në polici rastin e përndjekjes ndaj saj.
Sipas njoftimit zyrtar të Policisë së Shtetit, e mitura ka qenë në një gjendje të rënduar psikologjike dhe gjatë dhënies së deklaratës ka tentuar të dëmtojë veten me mjet prerës, ndërsa ka goditur edhe punonjësen e policisë që po merrej me rastin.
Hetimet paraprake tregojnë se vajza ishte përndjekur nga një person aktualisht i burgosur, si dhe nga një tjetër shtetas që ndodhet ende në kërkim.
Në njoftimin e Policisë thuhet:
“Specialistët për Hetimin e Krimeve të Komisariatit të Policisë Nr. 5 referuan materialet shtesë në Prokurori për shtetasin J. Ll. (aktualisht në IEVP), si dhe referuan materialet në Prokurori për një 16-vjeçare, pasi dyshohet se shtetasi J. Ll. dhe një shtetas tjetër kanë përndjekur të miturën, e cila në gjendje të rënduar psikologjike është vetëdëmtuar lehtë me mjet prerës, si dhe ka goditur punonjësen e Policisë, kur po deklaronte për rastin.”
Policia ka nisur punën për identifikimin dhe arrestimin e bashkëpunëtorit tjetër të dyshuar, ndërsa po vijon hetimet për zbardhjen e plotë të rrethanave të ngjarjes.