Vendosni fjalën kyçe....

Dëmet financiare nga vjedhja në muzeun e Luvrit arrijnë në rreth 90 milionë euro



Një nga grabitjet më të guximshme në historinë moderne të Francës ka tronditur Parisin këtë javë, pasi një bandë prej katër personash vodhi bizhuteri të paçmueshme nga Galeria Apollo e Muzeut të Luvrit, me një dëm financiar që llogaritet në rreth 90 milionë euro, përcjell Guardian.

Sipas prokurores së Parisit, Laure Beccuau, muzeu ka vlerësuar se humbjet arrijnë në 88 milionë euro, ndërsa drejtori i Luvrit, Laurence des Cars, pritet të raportojë para Komisionit të Kulturës në parlament të mërkurën pasdite për detajet e sigurisë që lejuan një grabitje të tillë të ndodhte në mes të ditës.

Grabitja ndodhi të dielën në mëngjes, zgjati vetëm shtatë minuta, dhe u krye nga katër persona që hynë në katin e parë të ndërtesës përmes një dritareje, duke përdorur një shkallë hidraulike të një ashensori mobil nga rruga. Ata morën tetë bizhuteri të periudhës së Napoleonit, mes tyre edhe një kurorë të Perandoreshës Eugénie, e cila fatmirësisht u gjet më vonë nga policia.

Ministrja franceze e Kulturës, Rachida Dati, deklaroi në Asamblenë Kombëtare se “sistemi i sigurisë së Luvrit nuk dështoi”, por shtoi se një pjesë e buxhetit të rinovimit të muzeut do të shkojë për modernizimin e kamerave të sigurisë dhe sistemit të alarmit.

Ndërkohë, policia ka ngritur një njësi të specializuar prej 100 hetuesish për të zbuluar autorët e grabitjes, ndërsa në vendngjarje janë gjetur gjurmë ADN-je, motorë të braktisur, targa dhe pajisja me të cilën grabitësit u ngjitën në ndërtesë.

Autoritetet dyshojnë se bizhuteritë mund të jenë shkatërruar apo shkrirë për vlerën e materialit, por shpresojnë që autorët “të mos kenë shkatërruar thesaret historike pa arsye”.

Në dy muajt e fundit, katër muze francezë janë bërë objekt grabitjesh, mes tyre edhe Muzeu Kombëtar Adrien Dubouché në Limoges.

Qeveria franceze ka konfirmuar se shteti vepron si sigurues i vetvetes, ndaj nuk do të marrë kompensim për veprat e vjedhura, ndryshe nga muzetë privatë që mbulohen nga sigurime të posaçme.