
Presidenti i Shteteve të Bashkuara, Donald Trump, deklaroi sot nga Shtëpia e Bardhë se SHBA po ndërmerr hapa konkretë për të ruajtur armëpushimin në Gaza, por paralajmëroi se durimi ndaj shkeljeve të marrëveshjes nga Hamasi po shkon drejt fundit, përcjell YNetNews.
Në një bisedë me gazetarët, Trump tha:
“Ne do ta zgjidhim situatën me Hamasin shumë shpejt — nëse ata nuk e zgjidhin vetë. Ata po shkelin marrëveshjen. Po ndërmarrim shumë hapa për të ruajtur armëpushimin. Unë mund t’i them Izraelit ‘shkoni dhe merruni me ta,’ por nuk e kam bërë ende këtë.”
Deklaratat e presidentit vijnë pas një serie paralajmërimesh ndaj Hamasit, të cilat Trump i ka përsëritur ditët e fundit si pjesë e planit të tij për stabilitetin në Lindjen e Mesme. Ai theksoi se Uashingtoni po punon me aleatët ndërkombëtarë për të shmangur një rikthim në konflikt të hapur, por nuk përjashtoi mundësinë e një veprimi ushtarak të koordinuar, nëse Hamasi vazhdon të shkelë kushtet e marrëveshjes së armëpushimit.
Presidenti amerikan foli gjithashtu për luftën Rusi–Ukrainë, duke shprehur bindjen se një marrëveshje paqeje është ende e mundur.
“Mendoj se do t’ia dalim. Ukraina mund të fitojë ende, por nuk mendoj se do të ketë sukses. Mund të ndodhë çdo gjë,” – tha Trump, duke nënvizuar se Shtetet e Bashkuara po përpiqen të ndërmjetësojnë një armëpushim të qëndrueshëm mes palëve.
Komentet e tij vijnë në një kohë kur Uashingtoni po intensifikon përpjekjet diplomatike si në Lindjen e Mesme, ashtu edhe në Evropën Lindore, me synimin për të ulur tensionet dhe për të parandaluar përshkallëzimin e konflikteve ekzistuese.