Njësia e shërbimeve cloud e Amazon, AWS, u godit nga një ndërprerje të hënën, duke shkaktuar probleme lidhshmërie për shumë kompani në mbarë botën dhe duke ndërprerë shërbimet për disa uebsajte dhe aplikacione të njohura, duke përfshirë Fortnite dhe Snapchat.
“Ne mund të konfirmojmë rritjen e shkallës së gabimeve dhe vonesave për shërbime të shumta të AWS në Rajonin US-EAST-1,” tha AWS në një përditësim në faqen e saj të statusit.
Startup-i i AI Perplexity, bursa e kriptovalutave Coinbase dhe aplikacioni i tregtimit Robinhood ia atribuuan ndërprerjet AWS-së.
“Perplexity është jashtë funksionit tani. Shkaku rrënjësor është një problem i AWS. Ne po punojmë për ta zgjidhur atë,” tha CEO i Perplexity, Aravind Srinivas, në një postim në X.
AWS ofron fuqi kompjuterike, ruajtje të të dhënave dhe shërbime të tjera dixhitale për kompani, qeveri dhe individë. Ndërprerjet në serverët e saj mund të shkaktojnë ndërprerje në të gjithë uebsajtet dhe platformat që mbështeten në infrastrukturën e saj cloud. AëS konkurron me shërbimet cloud të Google dhe Microsoft, shkruan Reuters.
AWS dhe Amazon nuk iu përgjigjën një kërkese për koment.
Uebsajti i blerjeve i Amazon, PrimeVideo dhe Alexa po përballeshin të gjithë me probleme, sipas Downdetector.
Fortnite, në pronësi të Epic Games, Roblox, Clash Royale dhe Clash of Clans ishin ndër faqet e lojërave që ishin jashtë funksionit, ndërsa Venmo i Paypal dhe Chime ishin disa nga platformat financiare që u përballën me probleme, tha uebsajti i gjurmimit të ndërprerjeve.
Aplikacioni i rivalit të Uber, Lyft, ishte gjithashtu jashtë funksionit për mijëra përdorues në SHBA.
Presidentja e aplikacionit të mesazheve Signal, Meredith Whittaker, konfirmoi gjithashtu në X se platforma e tyre ishte goditur nga ndërprerja e AWS.
