
Dhjetë muaj pas marrjes së detyrës nga Presidenti Donald Trump, SHBA dhe Australia zhvilluan samitin e tyre të parë në Shtëpinë e Bardhë, ku nënshkruan një marrëveshje për mineralet e rralla dhe kritike, me synim sigurimin e një furnizimi të qëndrueshëm me materiale strategjike, në një kohë kur Kina po përpiqet të forcojë kontrollin mbi zinxhirët globalë të furnizimit, përcjell Reuters.
Sipas marrëveshjes, të dy vendet do të investojnë mbi 3 miliardë dollarë në projektet e mineraleve kritike gjatë gjashtë muajve të ardhshëm. Këto investime pritet të rrisin pavarësinë industriale të vendeve aleate në sektorë si bateritë, energjia e rinovueshme dhe mbrojtja.
Trump gjithashtu konfirmoi mbështetjen e tij për marrëveshjen bërthamore detare AUKUS, me vlerë 368 miliardë dollarë australianë (rreth 239 miliardë USD), e cila synon të frenojë ambiciet e Kinës në rajonin Indo-Paqësor. Sipas marrëveshjes, Australia do të blejë në vitin 2032 nëndetëse bërthamore nga SHBA, përpara se të ndërtojë një klasë të re nëndetësesh në bashkëpunim me Britaninë.
Megjithatë, samiti nuk kaloi pa tone të ashpra. Trump kritikoi hapur ambasadorin e Australisë në SHBA, Kevin Rudd, i cili më herët kishte shprehur qëndrime kritike ndaj tij.
“Nuk më pëlqen as ty, nuk më pëlqen dhe ndoshta asnjëherë s’do të më pëlqesh,”
deklaroi presidenti amerikan gjatë takimit, sipas burimeve diplomatike.
Samiti u vlerësua si një shenjë e forcimit të aleancës strategjike SHBA–Australi në kuadër të rivalitetit me Pekinin, por edhe si një test për marrëdhëniet personale midis liderëve të dy vendeve.