
Kryeministri Edi Rama vlerësoi sot rolin e Komisionit të Venecias në proceset më të rëndësishme demokratike të Shqipërisë, duke e cilësuar si një partner të pazëvendësueshëm në ndërtimin e shtetit të së drejtës.
Në fjalën e tij gjatë një aktiviteti kushtuar këtij institucioni, Rama theksoi se kontributi i Komisionit ka qenë vendimtar në hartimin e Kushtetutës së vitit 1998, si dhe në Reformën në Drejtësi dhe procesin e vettingut.
“Sot Komisioni i Venecias ka në bilancin e vet edhe kontributin e paçmuar për Kushtetutën e parë të shtetit demokratik shqiptar, asaj të vitit 1998,” tha Rama, duke shtuar se mendimet e Komisionit kanë luajtur një rol të rëndësishëm në drejtimin e shumë proceseve kushtetuese dhe ligjore në vend.
Ai theksoi gjithashtu se Komisioni ka dhënë dy kontribute kyçe për historinë e re demokratike të Shqipërisë, përmirësimin e Kodit Zgjedhor dhe mbështetjen e Reformës në Drejtësi, të cilën e quajti reformën më të thellë dhe të vështirë që ka ndërmarrë ndonjëherë vendi.
“Komisioni i Venecias ka qenë bashkëudhëtar i pandarë, udhërrëfyes si gjithmonë i matur dhe autoritet që na ka ndihmuar të ruajmë busullën dhe të orientohemi në drejtimin e duhur,” u shpreh ai.
Kryeministri nënvizoi se pa Komisionin e Venecias, procesi i vettingut nuk do të kishte qenë i mundur në formën që u zbatua në Shqipëri.
“Pa Komisionin e Venecias dhe kontributin e tij do të kishte qenë e pamundur që Shqipëria të ndërmerrte procesin e vettingut, ky proces unik në reformën në drejtësi, që nuk është kryer me të njëjtën thellësi në asnjë vend tjetër që është përpjekur ta realizojë,” tha Rama, duke shtuar se opinioni i Komisionit ishte vendimtar në tejkalimin e kundërshtive ndërkombëtare.
Rama theksoi gjithashtu respektin që gëzon Komisioni i Venecias në nivel global:
“Komisioni i Venecias ka fituar fuqinë për t’u imponuar dhe për t’u respektuar nga të gjitha instancat. Jam dëshmitar i faktit se opinionet e Venecias respektohen në çdo nivel ndërkombëtar që lidhet me çështjet e shtetit të së drejtës dhe proceset e reformave demokratike,” deklaroi Rama.