Këshilli i Sigurimit i Kombeve të Bashkuara do të mblidhet nesër në Nju Jork për të diskutuar raportin gjashtëmujor të Sekretarit të Përgjithshëm të OKB-së, Antonio Guterres, mbi punën e Misionit të Kombeve të Bashkuara në Kosovë (UNMIK).
Raporti, që mbulon periudhën nga 16 marsi deri më 15 shtator 2025, i është dërguar anëtarëve të Këshillit më 10 tetor dhe do të prezantohet nga kreu në detyrë i UNMIK-ut, Milbert Dongjoon Shin.
Sipas burimeve të portalit Security Council Report, pritet që Shin të theksojë mungesën e përparimit në zbatimin e marrëveshjeve të arritura përmes ndërmjetësimit të Bashkimit Evropian, si dhe të nënvizojë se tensionet ndërmjet Beogradit dhe Prishtinës mbeten të larta.
Në raportin e tij, Guterres thekson se autoritetet e Kosovës kanë vijuar procesin e mbylljes dhe marrjes nën kontroll të institucioneve të financuara nga Serbia, përfshirë Fondin e Sigurimeve Pensionale dhe Invalidore, Shërbimin Kombëtar të Punësimit në Leposaviq, si dhe kompanitë rajonale të ujësjellësit në Mitrovicën e Veriut dhe Zubin Potok, bashkë me Fondin Republikan të Sigurimeve Shëndetësore.
Beogradi e ka dënuar ashpër këtë veprim, të cilin e kanë kritikuar edhe disa aktorë ndërkombëtarë, përfshirë Bashkimin Evropian dhe Kombet e Bashkuara. Më 14 shtator, UNMIK shprehu shqetësim për këto zhvillime dhe përsëriti thirrjen që çështjet e hapura të trajtohen brenda kuadrit të dialogut të Brukselit.
Në seancën e nesërme, Shin pritet të theksojë ndikimin që mbyllja e institucioneve ka në jetesën e përditshme të qytetarëve në veri të Kosovës dhe në aksesin e tyre ndaj shërbimeve bazë.
